Burg për parkimin dysh, Erion Braçe kap ‘mat’ Policinë e Shtetit
Ndryshimet e miratuara së fundmi në Kodin Penal sjellin masa ndëshkuese më të ashpra për parkimin dysh, duke e kthyer këtë shkelje në kundërvajtje penale në raste të caktuara.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka publikuar edhe pamjet e rastit të parë të evidentuar pas miratimit të ligjit, ku në mënyrë ironike shfaqet një automjet policie i parkuar në kundërshtim me rregullat.
Sipas Braçes, Kuvendi i Shqipërisë i ka votuar ndryshimet rreth orës 03:00 të mëngjesit, duke përfshirë edhe penalizimin e parkimit dysh. Në bazë të dispozitave të reja, kjo shkelje dënohet me gjobë ose me heqje lirie deri në gjashtë muaj.
Megjithatë, ligji parashikon që ndëshkimi penal të aplikohet vetëm në situata specifike, kur parkimi në rresht të dytë pengon qarkullimin e mjeteve të shërbimeve emergjente, si ambulancat, zjarrfikëset apo policia.
Deputeti e ka shoqëruar reagimin e tij me një video, duke theksuar se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë, pa përjashtime, pavarësisht uniformës apo institucionit që përfaqësohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



