E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bushati: Rruga drejt BE-së pengohet nga korrupsioni, jo nga qytetarët
Lajme

Bushati: Rruga drejt BE-së pengohet nga korrupsioni, jo nga qytetarët

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke i cilësuar ato si një moment të rëndësishëm reflektimi shoqëror dhe politik.

Sipas Bushatit, protestat nuk përbëjnë pengesë për integrimin europian të Shqipërisë, përkundrazi, ato nxjerrin në pah problemet reale që e kanë ngadalësuar këtë proces ndër vite. “Rruga drejt Bashkimit Europian është penguar nga korrupsioni i mazhorancës, dhe jo nga protestat,” thekson ai.

Në analizën e tij, Bushati nënvizon se qytetarët nuk po reagojnë vetëm ndaj arrogancës së pushtetit, por kundër një sistemi më të gjerë që, sipas tij, përfshin lidhje të forta mes politikës, oligarkisë, krimit të organizuar dhe medias.

Ai argumenton se protestat kanë krijuar një klimë të re ndërgjegjësimi qytetar dhe solidariteti, duke e paraqitur Shqipërinë në sytë e ndërkombëtarëve si një shoqëri që kërkon ndryshim dhe standarde demokratike.

Postimi i plotë i Ditmir Bushatit:

E ARDHMJA ËSHTË KËTU

Kudo ku kam udhëtuar gjatë këtyre javëve për arsye pune, në takime apo telefonata me miq anembanë botës, jam ndier krenar për fjalët e mira që kam dëgjuar për Shqipërinë. Pasqyrimi i protestave disa javore nga mediat prestigjioze ndërkombëtare e ka paraqitur vendin tonë si një shoqëri me ndërgjegje qytetare dhe në solidaritet.

Nuk ka imazh më të mirë sesa ai që krijohet pa para, por me shpirtin e gjallë të një shoqërie që ngrihet në këmbë për vendin e vet.

Protestat në Shqipëri pasqyrojnë shqetësime të thella që kërkojnë reflektim serioz dhe veprime kuptimplota për modelin demokratik dhe zhvillimor të vendit.

Së pari, shumica e protestuesve janë fëmijë të tranzicionit që nisi në vitin 1990 dhe nuk po gjen fund. Ata nuk janë rritur me frikën e komunizmit dhe as me paranojën e armikut të jashtëm. Prandaj, përdorimi i retorikës përçarëse prodhon efektin e kundërt. Në rajonin tonë, të vetmet vende që ende nuk e kanë kapërcyer brezin e udhëheqësve simbol të tranzicionit janë Shqipëria dhe Serbia, ndonëse për arsye krejt të ndryshme. Ndryshe nga serbët, shqiptarët e kanë të qartë se vendi i tyre i përket familjes europiane.

Për fëmijët e tranzicionit, modeli i një jete normale nuk është Shqipëria e komunizmit, as ajo e kioskave dhe firmave piramidale, dhe as ajo e betonizimit që krijon varësi mes pushtetit politik dhe interesave ekonomike. Është një Shqipëri e mundësive të barabarta, ku demokracia nuk negociohet dhe zhvillimi është i qëndrueshëm.

Së dyti, Shqipëria po përjeton një çlirim kolektiv emocional që nuk ndërmjetësohet nga partitë apo institucionet. Qytetarët nuk po protestojnë vetëm kundër arrogancës dhe personalizimit të pushtetit, por edhe kundër aleancës mes politikës, oligarkisë, krimit të organizuar dhe medias. Në këtë proces po forcohet ndjenja e solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare.

Një nga rezultatet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje është katarsisi shoqëror, i cili mund të shndërrohet në bazë për një demokraci më funksionale dhe përfaqësuese.

Së treti, sipas Bushatit, Shqipëria nuk ka pasur kurrë më shumë simpati ndërkombëtare se sot. Ndryshe nga periudhat e mëparshme historike, vëmendja aktuale lidhet me përpjekjen e qytetarëve për t’u shkëputur nga një model që ka dëmtuar konkurrencën dhe meritokracinë.

Së katërti, pasqyrimi i protestave nga mediat ndërkombëtare dhe mobilizimi i diasporës përbëjnë një investim të rëndësishëm për imazhin e Shqipërisë dhe rrugën drejt Bashkimit Europian.

Bushati thekson se pengesat kryesore për integrimin janë korrupsioni, krimi i organizuar, politizimi i institucioneve dhe kapja e pasurive publike, jo reagimi qytetar.

Në përmbyllje, ai nënvizon se fryma e protestës është tashmë më e madhe se vetë protestat dhe nuk mund të shuhet lehtësisht. Sipas tij, Shqipëria ndodhet përballë një momenti që kërkon përgjegjësi, guxim dhe një angazhim të ri për ndërtimin e një modeli më të drejtë dhe demokratik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.