E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Call-center/ SPAK çon në gjyq ‘peshqit e vegjël’, nuk guxon të hetojë Amant Josifin
Lajme

Call-center/ SPAK çon në gjyq ‘peshqit e vegjël’, nuk guxon të hetojë Amant Josifin

Prokuroria e Posaçme njoftoi nëpërmjet një deklarate të gjatë dhe të detajuar se ka dërguar për gjykim disa persona, të cilët akuzohen se kanë mashtruar shtetas italianë nëpërmjet call-center, në një vlerë rreth 1.4 milionë euro.

Emrat e përfshirë në këtë skemë janë “peshq të vegjël” dhe tërësisht anonimë për publikun, megjithëse mashtrimin e pretenduar nga SPAK-u është i konsiderueshëm.

Por, në një rast tjetër, ku vlera e mashtrimit është shumë herë më e lartë, në shumën e 2.4 miliardë euro, prokurorët e posaçëm nuk kanë kryer asnjë lloj verifikimi.

Në këtë rast mashtrimi gjigant, por të pahetuar nga SPAK-u, është i përfshirë Amant Josifi, ish-këshilltar i ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe ortak i hershëm biznesi me Olsi Ramën, vëllanë e kryeministrit Edi Rama.

Josifi akuzohet nga autoritetet spanjolle se qëndron në kupolën e organizatë kriminale ndërkombëtare, e cila ka mashtruar mijëra qytetarë europianë nëpërmjet call-center-ave.

Policia dështoi ta arrestonte Josifin në Tiranë në nëntor të vitit 2022, pas një operacioni që u dekonspirua nga vetë autoritetet shqiptare.

SPAK-u, struktura përgjegjëse për hetimin penal dhe pasuror të anëtarëve të grupeve kriminale, prej më shumë se një viti nga shpërthimi i skandalit me përmasa kontinentale, nuk guxon të nisë procedurat ndaj Amant Josifit.

Legjislacioni shqiptar i jep të gjitha mundësitë SPAK-ut që të nisë hetim pasuror për këdo shtetas shqiptar, i cili, edhe pse akuzohet për kryerjen e veprave penale jashtë shtetit, dyshohet ose më së paku ka indicie se ka transferuar përfitime kriminale drejt vendit tonë.

SPAK-u raporton në mënyrë periodike për nisjen e hetimeve pasurore apo edhe sekuestrimin e parave të individëve që janë përfshirë në vepra kriminale jashtë Shqipërisë.

Por, në rastin e Amant Josifit, ish-këshilltar i ministres Olta Xhaçka dhe një ish-ortak biznesi i Olsi Ramës, nuk ka pasur asnjë iniciativë të tillë.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se kompania kryesore e Josifit në Shqipëri, “Odyssey” shpk, vijon të jetë aktive.

Shoqëria është krijuar në vitin 2019 dhe ka objekt aktiviteti të gjerë, i cili nis nga telekomunikacioni e deri tek investimet në turizëm.

Pak muaj më parë u raportua se Amant Josifi u ndalua në Dubai për llogari të autoriteteve spanjolle.

Ndërkohë, në Shqipëri, ku besohet se ai ka drejtuar rrjetin e call-center-ave mashtrues, asnjë autoritet nuk merr guximin të hetojë mikun e familjes kryeministrore, përtej deklaratave të kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, i cili thekson se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.