Çfarë po ndodh? Kënga “Mora fjalë” zhduket nga platformat online
Një prej këngëve më të njohura shqiptare, “Mora fjalë”, nuk është më e disponueshme në disa prej platformave online ku publikohej, pas një përplasjeje lidhur me të drejtat e autorit.
Bëhet fjalë për versionin origjinal të këngës, të interpretuar nga këngëtarja Shkurte Fejza, ndërsa autorësia e tekstit dhe muzikës i atribuohet Naim Gjoshi.
Përmes përfaqësuesve të tij ligjorë, Gjoshi ka kërkuar heqjen e veprës nga kanalet zyrtare ku ajo ishte publikuar, duke kundërshtuar përdorimin e saj pa autorizimin e autorit.
Paralajmërimi i zyrës ligjore
Zyra ligjore që përfaqëson autorin ka bërë të ditur se çdo publikim apo shpërndarje e veprave të Naim Gjoshi-t pa lejen e tij konsiderohet përdorim i paautorizuar.
Në deklaratën e publikuar nga përfaqësuesit ligjorë përmenden në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe platformat më të përdorura online, përfshirë YouTube, Facebook, Instagram dhe TikTok.
“Në cilësinë e përfaqësuesit ekskluziv të autorit z. Naim Gjoshi për përfaqësimin dhe mbrojtjen ekskluzive të të drejtave të tij mbi tekstet dhe kompozimet, duam të qartësojmë përdoruesit: Çdo vepër e tij që është publikuar apo shpërndarë pa leje në YouTube, Facebook, Instagram, TikTok apo në çdo platformë tjetër, online, të cilat kanë vendosur veprën në dispozicion të publikut kudo në botë, do të trajtohen si përdorim i paautorizuar”, thuhet në deklaratë.
Sipas përfaqësuesve ligjorë, personat apo subjektet që duan të vazhdojnë ta përdorin këngën duhet të marrin më parë autorizimin përkatës nga autori.
Në të njëjtën kohë, sipas tyre, duhet të adresohen edhe përdorimet e kryera më herët.
“Fakti që një këngë gjendet në internet nuk do të thotë se është pa pronar”
Në deklaratën e zyrës ligjore theksohet se publikimi i një vepre në internet nuk e bën automatikisht atë të lirë për përdorim nga palë të tjera.
“Ata që duan të vazhdojnë ta përdorin veprën duhet të marrin lejen përkatëse të autorit dhe të adresojnë edhe përdorimin e bërë deri tani pranë zyrës ligjore”, thuhet në deklaratë.
Përfaqësuesit e Gjoshi-t argumentojnë se veprimet e ndërmarra nuk synojnë dëmtimin apo denigrimin e këngëtarëve që kanë interpretuar veprën, por mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe respektimin e pronësisë mbi krijimin.
“Fakti që një këngë gjendet në internet nuk do të thotë se është pa pronar apo e lirë për t’u përdorur”, thuhet më tej.
Deklarata mbyllet me theksimin se autorësia dhe të drejtat mbi veprat muzikore duhet të respektohen: “Veprat kanë autor. Të drejtat kanë zotërues. Dhe ato duhet të respektohen.”
Shkurte Fejza ende nuk ka reaguar
Këngëtarja Shkurte Fejza, e cila e ka bërë “Mora fjalë” të njohur për një publik të gjerë në Kosovë dhe në trojet shqiptare, nuk ka bërë deri tani një reagim publik lidhur me heqjen e këngës nga platformat online.
Çështja mbetet e lidhur me të drejtat e autorit mbi veprën dhe përdorimin e saj në platformat digjitale, ndërsa publikimet e mëtejshme do të varen nga autorizimet që kërkohen nga autori dhe përfaqësuesit e tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



