Çfarë pritet të enjten? Qytetarët nuk heqin dorë, sot protesta e 52-të
Lëvizja qytetare kundër qeverisë vijon pa ndërprerje në kryeqytet, ku sot pritet të mbahet protesta e 52-të radhazi. Mobilizimi i përditshëm ka marrë përmasa të qëndrueshme, duke reflektuar një pakënaqësi të thellë ndaj politikave qeveritare dhe vendimmarrjes së fundit.
Organizatorët u kanë bërë sërish thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive, ndërsa kërkesa kryesore mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.
Prej më shumë se 50 ditësh, protestuesit janë mbledhur çdo ditë në Tiranë, duke kundërshtuar jo vetëm projektin e investimit në Zvërnec, por edhe një sërë nismash ligjore që, sipas tyre, cenojnë interesin publik dhe favorizojnë grupe të caktuara.
Kërkesat: Nga “Zvërneci” te ligjet e debatueshme
Në qendër të reagimit qytetar mbeten disa çështje kyçe, përfshirë anulimin e projektit në Zvërnec, shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, si dhe rishikimin e “Paketës së Maleve”.
Po ashtu, protestuesit kundërshtojnë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe atë për trashëgiminë kulturore, duke i cilësuar si vendime që rrezikojnë pasuritë natyrore dhe historike të vendit.
Thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike kanë qenë të vazhdueshme gjatë gjithë protestave, ndërsa slogani “Rama ik!” është kthyer në simbol të kësaj lëvizjeje.
Tensione te Kuvendi dhe përplasje me policinë
Protesta e djeshme u zhvendos edhe para godinës së Kuvendit, ku u shënuan momente tensioni. Disa protestues hodhën vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve, në shenjë revolte ndaj mazhorancës.
Ngjarja u shoqërua me masa të shtuara sigurie dhe ndërhyrje të forcave të rendit, ndërsa brenda sallës së Kuvendit seanca plenare u ndërpre disa herë për shkak të situatës së krijuar jashtë.
Paralajmërimi: Protestat vijojnë pa afat
Organizatorët kanë bërë të qartë se protestat nuk do të ndalen deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, duke paralajmëruar vijimin e mobilizimit çdo ditë.
Ndërkohë, të enjten pritet një tjetër tubim para Kuvendit, në të njëjtën kohë me zhvillimin e seancës së fundit plenare të këtij sesioni parlamentar. Qëllimi i protestuesve është rritja e presionit ndaj deputetëve në një moment kyç për jetën parlamentare, përpara mbylljes së punimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



