Clevio shkon në GJKKO për çështjen e tritolit të Noizy-t
Reperi Kleviol Ahmeti, i njohur ndryshe si “Clevio”, është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të hetimeve për atentatin me lëndë plasëse ndaj biznesit të këngëtarit Noizy.
Në pamjet e publikuara, artisti shihet teksa kërkon informacion për hyrjen e institucionit dhe më pas hyn në godinën e gjykatës, ku pritet të japë shpjegime lidhur me çështjen.
Emri i tij doli në skenë pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani. Ky i fundit ka deklaruar se urdhri për vendosjen e tritolit në lokalin e Noizy-t ishte dhënë nga Laert Haxhiu, i cili rezulton të jetë mik i afërt i “Clevios”.
Sipas dëshmisë, motivi i mundshëm lidhet me një konflikt të mëparshëm, pasi pretendohet se Noizy kishte pasur një përplasje fizike dhe verbale me reperin.
Hetimet për këtë ngjarje vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rolin e personave të përfshirë dhe rrethanat që çuan në vendosjen e lëndës plasëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



