E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Çmenduria e kullave dhe e çmimeve në kryeqytet
Ekonomi

Çmenduria e kullave dhe e çmimeve në kryeqytet

Tirana bëhet më e shtrenjtë se kryeqytetet e BE-së, qiratë e zyrave shkojnë deri në 40 euro/m²

Tirana po hyn në një fazë të re të tregut imobiliar, ku çmimet e qirave për ambientet e zyrave në kullat e biznesit kanë arritur nivele rekord, duke tejkaluar jo vetëm kryeqytetet e rajonit, por edhe disa qytete të Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të tregut të pasurive të paluajtshme, qiratë në segmentin premium kanë arritur deri në 40 euro për metër katror në muaj, niveli më i lartë i regjistruar deri tani në kryeqytet.

Referuar të dhënave të publikuara nga Colliers International Albania për revistën Monitor, projekti pranë zonës së ish-Sheratonit, ende në zhvillim, ka regjistruar çmimin maksimal prej 40 euro/m² në muaj.

Në MET Tirana Building, qiratë kanë arritur deri në 33 euro/m², nga intervali 20–30 euro/m² që regjistrohej gjatë vitit 2025. Ndërsa në Downtown One, çmimi maksimal është 25 euro/m², nga 30 euro/m² që kishte arritur një vit më parë.

Rritje të çmimeve janë raportuar edhe në godina të tjera prestigjioze si ETC Business Tower, Twin Towers dhe Ring Center.

Pse po rriten kaq shumë çmimet?

Sipas ekspertëve të tregut imobiliar, rritja nuk lidhet vetëm me kërkesën për zyra moderne, por me një kombinim faktorësh ekonomikë dhe urbanë.

Faktorët kryesorë janë:

  • rritja e kostove të ndërtimit;
  • zhvlerësimi i euros, që ka shtyrë investitorët të rrisin çmimet për të ruajtur fitimin;
  • zhvillimet e reja urbane në qendër të Tiranës;
  • kërkesa në rritje për zyra me standarde ndërkombëtare;
  • administrimi profesional dhe shërbimet premium që ofrojnë kullat e reja;
  • oferta e kufizuar e ambienteve të klasit “A” në zonat më të kërkuara.

Burime nga tregu imobiliar theksojnë se kërkesa mbetet e qëndrueshme, sidomos nga kompani që kërkojnë zyra në ndërtesa të reja dhe në qendrat kryesore të biznesit.

Tirana më e shtrenjtë se shumë kryeqytete europiane

Raporti i Colliers Albania për gjysmën e dytë të vitit 2025 tregoi se qiratë mesatare të zyrave në qendër të Tiranës arritën në 30 euro/m², duke u barazuar me tregje të konsoliduara si Barcelona dhe Praga.

Madje, Tirana rezulton më e shtrenjtë se disa kryeqytete europiane:

  • Portugalia – 29 euro/m²
  • Budapesti – 25.5 euro/m²
  • Bukureshti – 20 euro/m²

Edhe në rajon diferenca është e konsiderueshme:

  • Beogradi – 18 euro/m²
  • Zagrebi – 17.5 euro/m²
  • Sofia – 16 euro/m²

Edhe zonat sekondare të Tiranës mbeten ndër më të shtrenjtat, me një mesatare prej 19 euro/m², duke kaluar Beogradin (15 euro), Zagrebin (13 euro) dhe Sofjen (11 euro).

Paradoksi shqiptar

Rritja e vazhdueshme e çmimeve po krijon një paradoks të fortë ekonomik. Ndërsa Shqipëria mbetet ndër vendet me pagat mesatare më të ulëta në Europë, tregu i pasurive të paluajtshme po sillet si ai i metropoleve me ekonomi shumë më të zhvilluara.

Ekspertët e lidhin këtë fenomen me përqendrimin e investimeve në sektorin e ndërtimit, mungesën e hapësirave premium në qendër, si dhe fluksin e kapitalit që vijon të orientohet drejt tregut imobiliar.

Për vitin 2026, pritshmëritë e tregut janë që tendenca e rritjes të vazhdojë, duke e bërë Tiranën një nga tregjet më të shtrenjta të Europës Juglindore për ambientet e biznesit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.