“Çunat e Belës i mbulonin vetë mediat”
Dalin mesazhet nga dosja e SPAK: Balluku i drejtohet Berberit për pagesa ndaj mediave
TIRANË, 19 dhjetor 2025 – Dalin në dritë detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, ku përmes komunikimeve të siguruara mes saj dhe drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, flitet hapur për mbulimin financiar të mediave.
Sipas materialeve të administruara nga Prokuroria e Posaçme, në komunikime të zhvilluara përmes aplikacionit “Signal Private Messenger”, Balluku i referohet drejtpërdrejt pagesave ndaj mediave, duke lënë të kuptohet se një pjesë e tyre mbuloheshin “nga xhepi” nga persona të tjerë të afërt me të.
Në një mesazh të dërguar në orën 18:02, Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit:
“Çunat e tjerë janë duke i mbuluar nga xhepi vetë mediat, ty një të kam lënë, ngelën duke e bërë çorap.”
Menjëherë pas këtij mesazhi, Berberi i përgjigjet shkurt: “Kuptova.”
Ndërsa pak minuta më vonë, Balluku vijon komunikimin duke i shkruar: “Ke një supervizion mirëmbajtje.”, çka sipas SPAK lidhet me procedura dhe projekte nën përgjegjësinë e ARRSH-së.
Në vijim, në orën 18:07, Balluku i ka dërguar Berberit edhe një fotografi, e cila dyshohet se është marrë nga sistemi elektronik i prokurimeve publike, element që forcon dyshimet për ndërthurje të komunikimeve politike, financiare dhe procedurale.
Sipas burimeve hetimore, këto komunikime konsiderohen indicie të forta për mënyrën se si krijohej dhe menaxhohej raporti i zv/kryeministres me media të caktuara, përmes ndërmjetësimit të institucioneve dhe projekteve publike.
SPAK vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e secilit person të përfshirë dhe për të përcaktuar nëse këto veprime përbëjnë vepra penale të lidhura me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës dhe financimin e paligjshëm të mediave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



