Dash Sula tregon fytyrën e vërtetë pasi u shpërblye nga Rama
“S’kemi qenë armiq”
Dashnor Sula është prezantuar zyrtarisht në detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm gjatë një ceremonie ku ishte e pranishme edhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.
Në fjalën e tij të parë pas marrjes së detyrës, ish-deputeti i Partisë Demokratike e cilësoi këtë moment si një sfidë të rëndësishme personale dhe profesionale. Ai falënderoi stafin për praninë dhe theksoi se i konsideron të gjithë bashkëpunëtorë, pa dallime hierarkie apo funksioni.
Sula nënvizoi se çdo punonjës ka një përgjegjësi të qartë ligjore dhe do të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me të për përmbushjen e detyrave. Ai premtoi korrektësi, bashkëpunim institucional dhe angazhim maksimal në ushtrimin e funksionit.
Kryeinspektori i ri vlerësoi gjithashtu punën e paraardhësit Shkëlqim Hajdari dhe kontributin e stafit ndër vite, ndërsa garantoi se do të jetë i përkushtuar në çdo moment për çështjet që lidhen me institucionin.
Ai theksoi se do të jetë i angazhuar 24 orë në ditë për çdo problem apo informacion që lidhet me detyrën, duke garantuar komunikim të vazhdueshëm me institucionet dhe drejtuesit politikë.
Në fjalën e tij, Sula u ndal edhe te raportet me figurat politike, duke nënvizuar se përballjet e së kaluarës nuk e kanë penguar bashkëpunimin institucional në funksion të interesit të vendit. Ai theksoi se këtë detyrë nuk e sheh si privilegj, por si një përgjegjësi të madhe dhe sfidë për të përmbushur misionin në shërbim të shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



