DASH tjetër raport “nxin” Shqipërinë : Paratë e kokainës investohen në kulla, bandat shfrytëzojnë korrupsionin!

Korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit dhe një shkallë e lartë e papunësisë janë shtytësit kryesorë të rritjes së trafikut të drogës në Shqipëri…

Qeveria shqiptare ka marrë një tjetër goditje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Departamenti Amerikan i Shtetit në çdo raport që nxjerr, nxin vendin tonë dhe të njëjtën gjë ka bërë dhe me raportin e vitit 2023 për trafikun e drogës dhe krimin e organizuar. Raporti në fjalë nuk u publikua në kohë një vit më parë nga DASH dhe ka dalë tani.

Në këtë raport, theksohet se vendi ynë vijon të jetë një rrugë tranziti për kokainën që vjen nga Amerika Latine. Po ashtu bëhet me dije se grupet shqiptare kanë hyrë fuqishëm në Europë dhe në vende si Ekuadori, Kolumbia apo Emiratet Arabe.

Shqipëria është një vend burim i kanabisit dhe një bazë lokale për grupet e krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e origjinës në tregjet evropiane. Kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë dhe kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët kombëtarë shqiptarë.

Kokaina e prodhuar nga Amerika e Jugut hyn në vend kryesisht përmes Portit të Durrësit, kryesisht në dërgesat e bananeve nga Ekuadori. Në tetë muajt e parë të vitit 2022, autoritetet shqiptare sekuestruan rreth 111 kilogramë kokainë dhe 6 kg heroinë.

Agjencitë e zbatimit të ligjit morën pjesë në disa operacione të përbashkëta në vitin 2022. Këto dhe operacione të tjera, të mbështetura shpesh nga këshilltarët amerikanë, çuan në çmontimin e disa organizatave të trafikut të drogës të përbërë nga shtetas shqiptarë. Operacionet u zhvilluan në të gjithë Ballkanin, Evropën Perëndimore, Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Qendrore e Jugore”, thuhet në raportin e DASH.

Sipas raportit, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka shënuar disa suksese kundër trafikut të drogës, përfshirë sekuestrimin e pasurive. Që nga janari 2022, SPAK sekuestroi mbi 100 mijë metra katrorë tokë, 25 biznese, 23 ndërtesa dhe 4 milionë euro llogari bankare, thuhet më tej.

Shtetasit shqiptarë luajnë një rol të madh në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, pasi territori i tyre është një pjesë kyçe e rrugës ballkanike të kalimit të drogës në Evropën Perëndimore dhe Mbretërinë e Bashkuar. Grupet e krimit të organizuar të udhëhequra nga shqiptarët veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë në Evropë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Amerikën e Jugut, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë”, thekson raporti.

Më tej i jepet një goditje e fortë qeverisë. Sipas DASH, grupet kriminale shfrytëzojnë korrupsionin endemik për të vepruar, teksa po pastrojnë paratë në ndërtim. Po ashtu në raport përmenden dhe sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe njerëzve të drejtësisë.

Këto grupe përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat e tyre, duke kontribuar në rritjen e korrupsionit në vend. Ata gjithashtu janë strehuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku bashkëpunojnë me grupe të tjera evropiane. Krimi i dhunshëm në Shqipëri, shoqërohet me atentate dhe kërcënime ndaj gjyqtarëve, prokurorëve, policëve dhe gazetarëve.

Korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit dhe një shkallë e lartë e papunësisë, janë shtytësit kryesorë të rritjes së trafikut të drogës në Shqipëri. Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi, të forcojë masat kundër pastrimit të parave dhe të ulë ndikimin e grupeve të krimit të organizuar në të gjithë qeverinë dhe shoqërinë”, thekson raporti.

Publikuar nga Publik Media