DENONCIM/ Ujërat e zeza derdhen në det në Gjirin e Lalzit
institucionet dhe “ambientalistët” heshtin
Një situatë alarmante ndotjeje denoncohet në zonën e Gjirit të Lalzit, një prej destinacioneve turistike më të frekuentuara dhe më të shtrenjta të bregdetit shqiptar.
Sipas denoncimit dhe pamjeve të publikuara, ujëra të ndotura dyshohet se shkarkohen përmes një kolektori direkt në det, vetëm pak metra larg zonave të frekuentuara nga pushuesit.
Pamjet ngrenë pikëpyetje serioze mbi funksionimin e sistemit të kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura në një zonë ku gjatë sezonit veror qëndrojnë mijëra pushues dhe ku janë ndërtuar resorte luksoze, hotele, vila dhe komplekse turistike.
Banorë dhe pushues kanë ngritur shqetësimin se një situatë e tillë nuk dëmton vetëm imazhin turistik të Gjirit të Lalzit, por mund të përbëjë edhe problem për mjedisin dhe shëndetin publik. Për këtë arsye kërkohet verifikim i menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për të përcaktuar se çfarë po derdhet në det, nga vjen shkarkimi dhe nëse respektohen standardet ligjore të trajtimit të ujërave të ndotura.
Por përtej përgjegjësisë së institucioneve, rasti nxjerr në pah edhe një tjetër pikëpyetje: ku janë organizatat mjedisore dhe zërat publikë që prej muajsh protestojnë për flamingot dhe çështje të tjera të mjedisit?
Ndotja nuk mund të ketë standard të dyfishtë. Mjedisi nuk mbrohet vetëm aty ku ka kamera, debate politike apo vëmendje publike. Nëse në Gjirin e Lalzit ujërat e zeza përfundojnë realisht në det, atëherë kemi të bëjmë me një çështje që kërkon reagim të menjëhershëm, hetim dhe përgjegjësi.
Publik.al kërkon nga institucionet përgjegjëse të verifikojnë rastin dhe të bëjnë publike rezultatet: kujt i përket kolektori, çfarë shkarkohet prej tij dhe kush mban përgjegjësi për ndotjen e mundshme të detit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



