Denoncimi i aktivistit: Më kanë kërcënuar me fëmijën tim 1-vjeçar
Aktivisti dhe organizatori i marshimeve, Visuar Dalipi, i njohur ndryshe si “Banka e fundit”, bëri një denoncim të fortë publik. Ai deklaroi se që nga nisja e protestës ka qenë objekt kërcënimesh serioze, të cilat, sipas tij, kanë prekur edhe familjen e tij, përfshirë fëmijën e tij vetëm 1-vjeçar. Dalipi theksoi se persona të panjohur kanë shkuar deri në lagjen ku ai banon, në një përpjekje për ta intimiduar.
Sipas tij, dhuna që ka shoqëruar disa episode gjatë protestave është e nxitur nga vetë qeveria, me qëllim diskreditimin dhe frenimin e lëvizjes qytetare. Ai përmendi edhe incidentin në Komisariatin nr. 3, ku u thyen xhamat nga disa të rinj, duke u distancuar qartë nga këto akte dhe duke nënvizuar se protesta ka qenë dhe mbetet paqësore.
“Unë bëra një thirrje për një grup komandues të protestës duke bërë thirrje kundër dhunës, grupi u krijua pa një plan. Krijuam edhe një kordon te Kryeministria, hoqëm flakadanët dhe bëmë thirrje për largimin e personave që mund të kishin armë të ftohta. Jemi mbështetur nga familjarët.
Marshimi nisi ditën e dytë me mllef drejt Hotel Dajtit dhe selisë së PS-së, aty u sulmuam për herë të parë nga kryeministri sepse të rinjtë shanin. Ndërkohë ato sharje i kemi dëgjuar edhe në Parlament.
Marshimi ka për detyrë të shkojë në çdo institucion, sepse PD dhe PS kanë krijuar një monopol që nëse nuk bashkëpunon me ta të ndalojnë. Është koha të ndalojmë. Rolin e sindikatave duhet ta marrim ne, që të kërkojmë llogari pasi marrin taksat tona, duhet të na thonë çfarë kanë bërë me paratë tona.
Këta persona duan që ta prishin protestën, ne po pastrojmë imazhin e Shqipërisë me paqe. Ata ishin një grupim që po qëndronin të veçuar. Diaspora kërkonte të niste dhunën, ndonjëherë kanalizohen aty ku duhen.
Ata ishin djem të rinj, të lodhur nga diktatura dhe ranë pre e situatës. Doli një njeri dhe shpërndau maska, ka pasur njoftime në rrjete që të mos vijnë gra dhe fëmijë, i bën edhe vetë qeveria për ta ndaluar këtë protestë.
Ne jemi aty për largimin e qeverisë dhe duhen marrë masa, të mos kthehet në aktivitet pas pune. Kam marrë kërcënime edhe për fëmijën, që e kam një vjeç. Kam një muaj pa e parë sepse e kam larguar.
Nuk e kam thënë sepse s’dua të përhap panik. Këto janë metoda për të na blerë. Më kanë ardhur te lagjja, te shtëpia”, deklaroi Dalipi në News 24.
Protesta vijon të mbetet një nga zhvillimet më të rëndësishme politike dhe shoqërore në vend, ndërsa tensionet dhe akuzat mes palëve pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



