Denoncimi: Plazhit publik në Kunes në Shëngjin i del pronari
Një situatë shqetësuese po denoncohet nga banorë dhe pushues në zonën e Kunes në Shëngjin, ku një hapësirë e konsideruar prej vitesh si plazh publik po shndërrohet gradualisht në zonë të kontrolluar nga subjekte private.
Sipas dëshmive të qytetarëve, pjesë të konsiderueshme të bregdetit po mbushen me çadra dhe shezlongë, duke kufizuar ndjeshëm aksesin e lirë të pushuesve. Ata theksojnë se kjo zonë ka qenë e hapur për publikun për të paktën tre vite dhe përdorej rregullisht nga banorët e zonës dhe turistët.
Banorët shprehen se procesi po zhvillohet pa transparencë dhe pa asnjë njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse, çka ka ngritur dyshime për ligjshmërinë e veprimeve. Sipas tyre, subjektet private po presin momentin për të vendosur plotësisht strukturat në plazh, duke e kthyer hapësirën publike në zonë të privatizuar de facto.
Në denoncimet e tyre, qytetarët theksojnë se kanë tentuar të kontaktojnë institucionet përkatëse, përfshirë Inspektoratin, por pa marrë përgjigje. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të verifikuar situatën dhe për të garantuar që plazhi publik të mbetet i aksesueshëm për të gjithë.
Një tjetër ankesë konkrete lidhet me zonën pranë një subjekti privat në Kune, përballë një supermarketi të njohur, ku vendosja e shezlongëve ka reduktuar ndjeshëm hapësirën e lirë për pushuesit.
Banorët paralajmërojnë se, në mungesë të reagimit institucional, çështja do të ndiqet deri në nivelet më të larta të pushtetit vendor, duke përfshirë edhe Bashkinë e Lezhës.
Kjo situatë rikthen në vëmendje debatin e vazhdueshëm mbi menaxhimin e vijës bregdetare dhe respektimin e hapësirave publike, në një nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



