Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje lidhur me depolitizimin e administratës, si një nga pikat më të vështira që besohet se po pengon arritjen e një marrëveshje me opozitën për reformën zgjedhore.
Rama tha se depolitizimi nuk është një kërkesë e PS, por rekomandim i ODIHR që nuk është bërë asnjëherë në 30 vjet.
Lidhur me komisionerët, Rama tha se do të zgjidhen me short nga KQZ-ja. Shqipëria ka nevojë për 16.500 komisionerë, ndërsa administrata ofron 16.000. Pjesa tjetër do të jenë vullnetarë që do të aplikojnë me kushtin që të kenë diplomë. Këta mund të jenë edhe anëtarë partish. Së bashku, numri i përgjithshëm i personave të disponueshëm për të qenë komisionerë shkon rreth 100,000.
Rama tha se komisionerët do të zgjidhen me short nga KQZ-ja. Nëse shorti i bie një punonjësi të administratës i bie shorti, do ta ketë me detyrim të kryejë funksionin e komisionerit. Ndërsa vullnetarët nuk do ta kenë me detyrim.
Pjesë nga deklarata e Ramës në emisionin “Opinion”:
Po t’i qëndronim strikt rekomandimeve të ODIHR nuk duhet ta diskutonim fare përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Ne kemi bërë një studim për elektronikën, dhe nuk është diçka e pabëshme përsa i përket identifikimin elektronik. Votimi elektronik është i përjashtuar kategorikisht. Në këtë rast po flasim për kërkesën e opozitës që është identifikimi elektronik. Identifikim offline, duke pasur një sistem të tillë, votimi dy herë është i pamundur. Dhe nëse ndodh ky kapet, edhe nëse kapet, ju e dini që kemi një kod penal shumë të ashpër. Problemi me këtë është që kërkon kohë. Unë jam pesimist që kjo realizohet në zgjedhjet e ardhshme. ODIHR nuk e inkurajon të shkosh drejt teknologjisë, dhe nëse ndodh e rekomandon të bëhet me faza. Ndaj ne kemi qenë që këto zgjedhje të shërbejnë për të testuar elektronikën.
Koha është shumë e shkurtër, ajo që ne kemi marrë nga të gjitha analizat dhe konsultimet me kompanitë që e bëjnë, që janë të pakta në botë, që nga nënshkrimi i kontratës janë të paktën 6 muaj. Për formulën e QKZ besoj jemi dakortësuar. Na duket e pamundur por ajo që kemi thënë është që nuk kemi asnjë problem. Kemi thënë që jemi gati të shkojmë në mbledhje me teknologji 100%, por qeveria do ta mbështesë financiarisht, por nga pikëpamja e gjithë përgatitjes së tenderit, të kontratës, është KQZ që duhet ta bëjë, dhe PD le të gjejë një person zëvendës të KQZ për ta ndjekur këtë proces që nesër mos të kemi atë avazin e vjetër jo u sabotua këtu, u sabotua aty. Të vendosë PD një ekspert dhe një zvkryetar të KQZ që ta ndjekë këtë proces.
Nuk e kemi kërkuar ne, PS, këtë reformë. Nuk besoj që zgjedhjet janë prekur në komisione dhe të jetë bërë ndonjë hata për ndonjë parti. Por ne kemi për detyrë të depolitizojmë administratën zgjedhore, dhe kjo është një kërkesë e ODIHR. Unë nuk jam ai që e kërkoj këtë, nëse s’është bërë 30 vjet, nuk do të thotë që dhe 30 vjet të tjera nuk do të bëhet. Kjo është një kërkesë eksplicite. Ajo që ne duhet t’ia kërkojmë vetes për qytetarët shqiptarë është marrëveshja me rekomandimet e ODIHR me elementin kryesor depolitizimin.
Është shumë e thjeshtë llogaria. Shqipëria ka nevojë për 16.500 komisionerë. Administrata publike shqiptare, që është me statusin e nënpunësit civil ka afro 16.000 persona. Pavarësisht se këtu mund të përfshihen mësuesit, siç përfshihen në gjithë botën, është hapur mundësia që të gjithë qytetarët e Shqipërisë, dhe anëtarët e partisë, mund të regjistrohen me kushtin që të kenë diplomë. Dhe kështu kemi 60, 70 apo 100 mijë persona. Por administrata do ta ketë me detyrim nëse i bie shorti. Do të bëhet me short, jo me emërim. Dhe këtu mund t’i bjerë shorti një anëtari të PD, apo i partive të tjera, dhe një i administratës. Punonjësi i administratës do ta ketë me detyrim, vullnetarin nuk e detyron dot. Nënpunës civil nën varësinë e qendrorit, në varësi të ministrive janë 9 mijë, e dini ju se sa nga këta 9 mijë kanë hyrë në punë pas 2013-ës? 33 për qind. Pjesa tjetër kanë qenë në punë edhe më përpara.



