Detajet/ Pengmarrja me vdekje në Kamzë
Policia e Shtetit, teksa ka dhene detajet e operacionit te djeshem ne Shikaj, ben me dije se “Në vijim të punës nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 17.01.2020, në rrugën “London”, Kamzë, ku disa persona rrëmbyen 49-vjecarin Jak Prenga, pas një hetimi të thelluar, në bashkëpunim me prokurorinë, duke përdorur metodat proaktive, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje”.
Në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i posaçëm hetimor, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nxori urdhër për të ushtruar kontroll në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, si dhe urdhra ndalimi për disa shtetas.
Në këtë kuadër u zhvillua operacioni policor “Resorti”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve:
L. H., 35 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë;
O. T., 36 vjeç, banues në Shijak;
E. H., 32 vjeç, banues në Shijak;
B. H., 64 vjeç, banues në Shijak;
Gjithashtu, po në kuadër të operacionit, gjatë kontrolleve të kryera në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celular, 4 automjete dhe një shumë eurosh.
“Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit J. P., kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit A. H. Po nga veprimet hetimore rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng”- njoftoi sot policia.
Gjithashtu, rezulton se personat janë kujdesur për ta fshehur trupin e shtetasit J. P., ndërkohë që forcat policore vijojnë kërkimet në zonën e Shijakut, për gjetjen e trupit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



