DETAJET/ SPAK akuzë të re ndaj Belinda Ballukut
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza të reja ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Mësohet se akuza përfshin dy herë shkelje të barazisë në tendera publike, për procedurat e ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Madhe.
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur sot dy masa sigurie ndaj Ballukut: pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë vendit.
Balluku u mor zyrtarisht e pandehur më 31 tetor 2025 për shkelje të barazisë në tendera publike. Hetimi kryesisht lidhet me procedurën e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952 lekë pa TVSH.
Hetimi nisi pas një kontrolli në banesën e ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në shkurt 2024. Gjatë kontrollit u sekuestruan telefona, pajisje kompjuterike dhe dokumente, të cilat ekspertizimi i tyre mundësoi rikuperimin e komunikimeve mes Berberit dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko. Këto të dhëna çuan në krijimin e një dosjeje që lidhet edhe me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe përfshirjen e Ballukut në hetime.
Mësohet se Balluku ka rënë në rrjetën e komunikimeve me vartësin e saj, Berberi, gjatë kohës kur ai drejtonte ARRSH-në, ndërsa roli i saj në paracaktimin e fituesve të tenderave publikë mbetet objekt hetimi.
Tenderi për tunelin e Llogarasë, i hapur nga Ministria e Infrastrukturës më 1 dhjetor 2021, u fitua në mars 2022 nga bashkimi i kompanive “Hill International N.V” dhe “Net-Group”, pasi kompanitë “Stucky L.T.D” dhe “Gjeokonsult & CO” u skualifikuan për shkelje të kushteve të tenderit. SPAK dyshon se ky skualifikim mund të ketë qenë i qëllimshëm për favorizimin e fituesve, për shkak të lidhjeve mes Berberit, biznesmenit Valter Begaj dhe ministres Balluku.
Hetimet përfshijnë gjithashtu verifikimin e dokumenteve të ARRSH për praktikat e prokurimit lidhur me mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, si dhe aksionet e kompanisë “Net-Group”, të cilat më 4 dhjetor 2024 iu dhuruan bashkëshortes së Valter Begajt, Loreta Vallja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



