Dhe habitemi pse vritemi për një fjalë goje…
Ta dërgosh fëmijën, vëllain, nipin apo kushëririn në punë dhe të ta dhunojnë në mënyrë shtazarake… është jo vetëm skandaloze, por edhe e pafalshme.
Përfytyroni për një moment.
Një 18-vjeçar del nga shtëpia.
Nuk del për të vjedhur.
Nuk del për të bërë keq.
Nuk del për të vrarë apo shitur drogë.
Del për të punuar.
Del për të fituar me djersën e tij.
Del me idenë të jetë dhe të bëhet i vlefshëm për vete dhe familjen.
Shkon në punë, kur shumë nga moshatarët e vet kërkojnë argëtimin e dëfrimin, dhe në fund të punës së kryer kërkon shpërblimin. Edhe nëse ai ka gabuar në ndonjë çast, kjo s’i jep asnjë të drejtë askujt që ta dhunojë.
Kjo është pak a shumë ajo që ka ndodhur së fundmi në Golem, në ambientet e “Flar Boutique Hotel”, ku, sikurse raportohet, pronarët dhe llagapi rreth tyre gjetën mënyrën më skandaloze për t’iu përgjigjur kërkesës së 18-vjeçarit për pagën, duke e dhunuar brutalisht e duke e bërë për spital.
Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi më i madh.
Ne u themi të rinjve: punoni, mos rrini rrugëve, bëhuni të vlefshëm, jo parazitë, punoni ndershëm e fitoni ndershëm, bëhuni të pavarur.
Dhe kur ata na dëgjojnë…
Kur shkojnë në punë…
Kur lodhen…
Kur djersijnë…
Kur kërkojnë pagën e tyre…
I shpërblejmë me dhunë…
Dhe nuk mbaron këtu, madje këtu është pikënisja e një kalvari më të rëndë pasojash. Sepse dhuna prodhon dhunë.
Ngjarja ka shkaktuar revoltën e xhaxhait të adoleshentit të dhunuar, i cili, i gjendur përballë këtij fakti, në gjaknxehtësi ka marrë një armë zjarri dhe është nisur drejt hotelit ku i kanë dhunuar nipin, mesa duket, për t’u “dhënë mësim” pronarëve dhunues.
Për fat, policia ka ndërhyrë dhe ka parandaluar përshkallëzimin.
Sepse sot mund të ishim duke folur për një tragjedi me të vrarë.
Por kjo është vetëm shmangia e dëmit ekstrem.
Dëmi i madh ka ndodhur tashmë dhe nuk është vetëm i një 18-vjeçari, por i shumë të tjerëve si ai.
Një adoleshent që zgjedh punën ka marrë si shpërblim dhunën.
Xhaxhai i tij përfundon në burg vetëm se mendoi të bënte drejtësi me vetëgjyqësi.
Shihni çfarë pasojash prodhon dhuna.
Fillon me fyerje e përçmim.
Pastaj vjen një shpullë a një grusht.
Pastaj vjen revolta.
Pastaj arma.
Pastaj policia.
Pastaj burgu.
Pastaj pason sërish revolta dhe hakmarrja.
Dhe në fund, mbase funerali.
A ia vlen?
Për çfarë?
Për një pagë?
Për një konflikt që mund të zgjidhej me qetësi, tolerancë dhe mirëkuptim?
Mesazhi i ngjarjes është edhe më i rëndë: të rinjtë mësojnë se, nëse punojnë, shpërblehen me dajak dhe frikë për atë që u takon.
Në vend që të mësojnë se puna është dinjitet.
Se djersa ka vlerë.
Se paga është e drejtë.
Se, nëse dikush u bën padrejtësi, ekziston një zgjidhje.
Ata marrin mesazhin e gabuar.
Kamerieri 18-vjeçar në ngjarjen e Golemit dhe shumë të tjerë si ai mbartin me vete një traumë që mund t’ua zhbëjë besimin se duhet dhe ia vlen të punosh.
Mund të mbajë zemërim për t’u hakmarrë, tanimë dyfish, për vete dhe për xhaxhain e tij, i cili do të vuajë vite burg vetëm pse nipi i tij u dhunua ndërsa po punonte. Pra, nga një adoleshent i shëndetshëm sapo kemi krijuar kushtet për të pasur nesër një të ri që i futet botës së krimit, i detyruar.
Një i ri që duhet të ishte shembull për shoqërinë, sepse zgjodhi punën, u bë viktimë e dhunës dhe nesër, me gjasë, bëhet vetë i dhunshëm, në një shoqëri ku nuk jetohet, por mbijetohet.
Le ta themi për çdo prind, çdo nënë, çdo baba, motër a vëlla dhe, mbi të gjitha, për një shoqëri të tërë:
Fëmija shkon në shkollë për të mësuar e jo për t’u dhunuar; shkon në punë për të punuar e për t’u kthyer në shtëpi me pagë, jo me plagë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



