E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqipëria është parajsa e njerëzve që duan të zhvasin diçka që nuk u takon
OP-ED

Shqipëria është parajsa e njerëzve që duan të zhvasin diçka që nuk u takon

dhe ferri i njerëzve që duan të kenë veçse atë që u takon.

Elona Caslli

Rasti i djaloshit 18-vjeçar, që u dhunua barbarisht nga pronarët e një biznesi vetëm se kërkoi rrogën e muajit, është skaneri më i mirë për Shqipërinë e vitit 2026.

Është një djalë, që nuk ka vendosur të vjedhë, të mashtrojë apo të shpërndajë drogë. Është një djalë që ka vendosur të punojë dhe në fund të muajit, kërkon të paguhet për punën që ka bërë. Në çastin, që kërkon të drejtën e tij te pronarët, e pret druri. Katër copë frymorë (se e fyejnë fjalën “njeri”) dhunojnë dhe e bëjnë për spital një djalë 18-vjeçar.

Daja i djalit të dhunuar ngrihet dhe merr armët për t’u hakmarrë. Në këtë çast ndërhyn policia, me video live në Facebook dhe e arreston. Policia ka bërë shumë mirë që ka ndërhyrë, sepse ka shmangur një tragjedi, por do të ishte mirë që videon live në Facebook ta zhvillonte pranë biznesit që shkaktoi gjithë këtë situatë.

Kemi pamje të dajës së djalit të dhunuar, por nuk kemi asnjë pamje të pronarëve që bënë për spital punonjësin e tyre.

Kjo është Shqipëria.

Ligji zbatohet për punonjësit e dobët, ndërsa për pronarët e fortë kemi interpretimin e tij.

Lexuesi, që e sheh këtë rast si një rast të izoluar, gabohet rëndë. E njëjta situatë ndodh në pjesën dërrmuese të institucioneve shtetërore në Shqipëri.

Cubat dhe cubet e institucioneve kanë pushtuar administratën dhe meqenëse vijnë nga rruga, njohin veçse kodin e rrugës në komunikim, në veprim dhe në drejtim. Kushdo, që kërkon të drejtën e tij në Shqipëri, përballet me dhunë verbale, presion për vendin e punës dhe në fund
me heqje nga puna.

Në situatën e djaloshit 18-vjeçar gjendet çdo shqiptar me dinjitet sot. Ndryshimi i vetëm qëndron te lloji i dhunës. Djaloshi ka përjetuar dhunën psikologjike dhe fizike, ndërsa punonjësit e institucioneve përjetojnë veçse dhunën psikologjike, ndonëse ka pasur raste kur kanë përjetuar edhe dhunën fizike (kujtojmë rastin e drejtoreshës së spitalit në Lezhë që u gjuante vartësve me shishe).

Në të vërtetë, historia e 18-vjeçarit është pasqyra e përvojës së shumë shqiptarëve e cila përmblidhet veçse në një parrullë : Ndëshkimi në Shqipëri vjen kur kërkon atë që të takon.

Post Scriptum- Kushdo, që kërkon të drejtën e tij në këtë vend, bëhet për spital në një mënyrë ose në një tjetër, sepse i vetmi ligj që ekziston në Shqipëri është Moszbatimi i ligjit.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.