Dita e 22-të e protestës, mijëra qytetarë në shesh
Ka nisur pasditen e sotme në Tiranë dita e 22-të e protestës qytetare, një lëvizje që prej më shumë se tre javësh po mbledh çdo mbrëmje qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora në kundërshtim të klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të fundit.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit janë grumbulluar fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe të artikulohen kërkesat e tyre.
Edhe ditën e sotme, pjesë e protestës pritet të jetë Diaspora shqiptare, e cila i është bashkuar lëvizjes me pjesëmarrje të konsiderueshme dhe me mesazhin simbolik: “Kur Shqipëria thërret, bijtë përgjigjen”.
Ajo që nisi si një protestë me kërkesa konkrete politike është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë qytetare kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies, kapjes së institucioneve dhe largimit masiv të të rinjve nga vendi.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në marshimet e përnatshme nuk kanë kursyer kritikat as ndaj opozitës tradicionale, me sloganet që kërkojnë përgjegjësi për të gjithë klasën politike që ka drejtuar vendin në këto tre dekada e gjysmë.
Pas 21 ditësh radhazi në rrugët e kryeqytetit, organizatorët deklarojnë se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



