Dita e gjashtë e zjarreve/ Rëndohet situata në Vlorë, forcat e ushtrisë ndërhyjnë në Karaburun
Banorët kanë kërkuar ndërhyrjen nga ajri, si rrugën e vetme për të shuar zjarret që çdo minutë e më shumë po u afroheshin banesave të tyre. Si pasojë e flakëve në afërsi të NST-së Kuç, për disa minuta është stakuar linja 35 kV Babicë-Smokthinë, duke lënë pa energji NST-në Kuç dhe NST-në Mobile Borsh. Zonat që u prekën nga ky stakim ishin Borshi, Lukova, Ftera e Qeparoja.
Grupet e OSSH-së kanë fikur zjarrin, duke penguar përhapjen e tij dhe kanë rikthyer sërish energjinë elektrike. Ndërkohë, kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, bashkë me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, ishin dje në fshatin Dukat, duke monitoruar ndërhyrjen e ushtrisë, pas mbërritjes së helikopterëve.
“Nga Dukati, po shohim këtë mëngjes një dritë shprese që njësoj si për natyrën vlen edhe për sakrificën e atyre dhjetëra djemve të Zjarrfikëses, Ushtrisë, përfaqësuesve të Zonave të Mbrojtura dhe Bashkisë Vlorë. Mbërritja e helikopterit të Forcave të Armatosura, për të ndërhyrë në fikjen e zjarreve nga ajri, ka filluar të stabilizojë gradualisht gjendjen e rënduar që përfshiu Karaburunin në ditët më të nxehta të korrikut”, u shpreh dje Leli.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



