Djali i Olldashit ja plas në sy Berishës: Po dëmtohemi ne të rinjtë, jo ti!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një tjetër takim në kuadër të “Foltoreve”, këtë herë me të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së.
Gjatë diskutimeve, një nga ndërhyrjet që tërhoqi vëmendje ishte ajo e Glauk Olldashit, djali i ish-deputetit dhe ish-ministrit të ndjerë Sokol Olldashi, i cili u shpreh kritik ndaj mënyrës se si organizohen Foltoret e së hënës para Kryeministrisë.
Olldashi tha se këto tubime po dëmtojnë imazhin e Partisë Demokratike, pasi sipas tij, një pjesë e folësve që marrin fjalën nuk janë të denjë për ta përfaqësuar opozitën. Ai theksoi se ka raste kur oratorët flasin pa përgjegjësi dhe madje, sipas tij, disa prej tyre janë shfaqur edhe në gjendje të dehur.
Sipas Glauk Olldashit, problemi nuk lidhet vetëm me nivelin e pjesëmarrjes së qytetarëve, por me vetë konceptin e Foltores. Ai sugjeroi që këto takime të strukturohen ndryshe, duke u fokusuar çdo javë në një sektor të caktuar, me pjesëmarrjen e ekspertëve përkatës.
“PD sot ka shumë probleme. Ndoshta do të ishte më mirë të flisnim pa kamera e pa media, sepse problemet e shtëpisë duhen diskutuar brenda saj. Megjithatë, një gjë është shumë e qartë: Foltorja nuk po funksionon siç duhet. Shumë nga ata që dalin të flasin nuk janë të denjë, flasin kuturu dhe disa madje edhe në gjendje të papërshtatshme. Kjo na dëmton të gjithëve, por mbi të gjitha ne të rinjve, sepse imazhi i PD-së është i ardhmja jonë”, u shpreh Olldashi.
Ai propozoi që çdo të hënë të organizohet një Foltore tematike, ku të trajtohen problematika konkrete si arsimi, shëndetësia, bujqësia apo sektorë të tjerë, duke i dhënë fjalën mësuesve, mjekëve, pedagogëve dhe specialistëve të fushave përkatëse, në mënyrë që qytetarët të ndjekin diskutime serioze dhe me përmbajtje.
Kritikat e Olldashit u përqendruan edhe te fakti se disa nga folësit, sipas tij, “na turpërojnë” dhe krijojnë një perceptim negativ për Partinë Demokratike, veçanërisht te brezi i ri.
Nga ana tjetër, Sali Berisha, duke iu përgjigjur vërejtjeve, u shpreh se qëllimi i Foltoreve nuk është numri i pjesëmarrësve. Ai pranoi se mund të ketë vend për përmirësime, por theksoi se Foltorja është një hapësirë e hapur ku flasin qytetarë të ndryshëm, përfshirë edhe profesionistë si mjekë apo pedagogë, dhe se folësit nuk janë të paracaktuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



