Do shkarkohet apo jo? Sot pritet vendimi për Irena Gjokën
Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë Gjyqësor pritet të shqyrtohet përfundimi i Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me çështjen e gjyqtares Irena Gjoka.
KLGJ është institucioni që do të vendosë për vazhdimësinë e saj në detyrë, pas verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka konstatuar se gjyqtarja e posaçme nuk ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit një dënim të vitit 2005 në Greqi, për veprën penale të falsifikimit të vizës.
Sipas materialeve të administruara nga Prokuroria, ky fakt nuk është pasqyruar në dokumentacionin zyrtar të dorëzuar prej saj, çka do të vlerësohet nga KLGJ në kuadër të kompetencave ligjore për disiplinën dhe integritetin e magjistratëve.
Vendimmarrja e KLGJ-së pritet të jetë përcaktuese për fatin e mëtejshëm të gjyqtares, ndërsa çështja ka ngjallur interes të lartë publik për shkak të ndjeshmërisë së funksionit dhe standardeve të kërkuara për gjyqtarët e posaçëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



