Dosja e Ballukut, testi më i madh për besueshmërinë e SPAK
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ku u njoh zyrtarisht me akuzat ndaj saj dhe statusin e të pandehurës, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është rikthyer normalisht në zyrën e saj qeveritare.
Gati një javë pas zhvillimeve në SPAK, ajo vijon detyrën, pa masa sigurie dhe pa asnjë ndryshim në statusin publik, ndonëse akuzat që i janë adresuar janë të rënda dhe të dokumentuara.
Burime pranë hetimit pohojnë se dosja e Ballukut dhe e vartësve të saj përfshin materiale që ngrejnë dyshime serioze për ndërhyrje në procedurat tenderuese dhe ndikim të paligjshëm në procese vendimmarrëse. Mesazhe të brendshme dhe dokumente zyrtare, të siguruara tashmë nga gazetarët, flasin për urdhra të drejtpërdrejtë dhe veprime që bien ndesh me ligjin.
Në këtë situatë, shumëkush pyet:
-
Pse SPAK nuk ka kërkuar masa sigurie për Ballukun, ashtu si në raste të tjera ku zyrtarë të lartë janë arrestuar që në fazat e para të hetimit?
-
A po përdoren standarde të ndryshme për figura të ndryshme politike?
Rasti bëhet edhe më kontrastues në krahasim me dosjet e Ilir Metës dhe Erion Veliajt, të cilët janë aktualisht në burg, megjithëse ndaj tyre, sipas burimeve, nuk janë publikuar prova të drejtpërdrejta në nivelin që përmendet për Ballukun.
Ndërkohë që SPAK argumenton në shumë raste se arrestimi parandalon ndikimin mbi provat, në rastin Balluku duket se ky parim nuk po zbatohet. Kjo ka ngritur pyetje të forta për pavarësinë dhe konsistencën e drejtësisë së re.
A po tregohet kujdes i tepruar për zëvendëskryeministren?
Apo mos kemi të bëjmë me një dosje që do të “ngrohet” politikisht, për t’u ftohur më pas në heshtje?
Në çdo rast, kjo çështje po shihet si një provë e vërtetë për besueshmërinë e SPAK.
Mënyra se si do të trajtohet “rasti Balluku” do të tregojë nëse drejtësia në Shqipëri është realisht e barabartë për të gjithë apo ende ndikohet nga pushteti që duhet ta kontrollojë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



