Dorëhiqet kreu i kadastrës Deromemaj, braktisi PD-në për post
5 muaj pas emërimit, Genc Deromemaj ka lënë detyrën…
Vijon mallkimi në Kadastrën e Vlorës. Genc Deromemaj, i cili u emërua me shumë bujë për shkak se braktisi strukturat e PD, mësohet se është larguar nga kjo detyrë vetëm 5 muaj nga emërimi.
Deromemaj ka zgjedhur të dorëzojë dorëheqjen, por pa patur më shumë detaje për arsyet.
Ai ka mbajtur postin e kreut të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, ndërsa ka qenë pjesë e PD që prej vitit 2002. Në vitin 2015, kandidoi për Bashkinë e Vlorës si kandidat i PD-së, përballë kandidatit socialist Dritan Leli.
Genc Deromemaj, që nga viti 2015-2018, ka qenë anëtarë i kryesisë së Partisë Demokratike. Më pas, nga viti 2018-2022, drejtoi degën e PD-së në Vlorë, ndërsa pas vitit 2022, qëndroi si anëtar i Partisë Demokratike në Vlorë. Në qershor të vitit 2025 ai u emërua drejtor i Kadastrës Vlorë, post që e mbajti vetëm 5 muaj.
Largimi i tij duket se është vijim i mallkimit që ka kapur Kadastrën e Vlorës. Deromemaj zëvendësoi në këtë psot Erjon Galanxhin, i cili dha dorëheqjen pas vetëm 3 muajsh në detyrë. Para tij këtë post e mbajtën Ergys Skënderi dhe Ina Luci.
Vetëm në vitin 2020 u ndërruan 6 drejtorë në këtë institucion. Më herët u dorëhoq Viola Hima, e cila qëndori vetëm 4 ditë në detyrë. Po ashtu Bilbil Aliaj ka zëvendësuar Taulant Canametin, drejtuesin e komanduar që qëndroi në krye të Kadastrës së Vlorës për rreth 4 muaj, pas dorëheqjes të bordit drejtues. Para këtij të fundit drejtues ishin Elona Hodaj, Aleta Nazeraj dhe Florian Almadhi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


