Drejtoresha e Veliajt Erinda Fino jep 140 MLN pa garë për makina elektrike

Erinda Fino është pasuesja e Eglantina Zere në krye të Tirana Parking, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë.

Kjo e fundit vetëm pak ditë më parë u bë pjesë e skandalit të drejtorëve të Bashkisë Tiranë të akuzuar për tendera fiktivë.

Por duket se edhe pasardhësja e saj, Erinda Fino, mund të ndjekë shumë shpejtë gjurmët e Eglantina Zeres pasi tenderi që do të shikoni sot është i denjë për hetim nga SPAK. Bëhet fjalë për një procedurë me numër reference REF-98186-03-12-2024 që ka si objekt “Blerje mjete transporti (automjete elektrike dhe mjet pick-up)”, për një fond limit në vlerën 12,500,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 150 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Nëse shikojmë dokumentat e kësaj procedure, do të vëmë re se kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, ajo që ka fituar dhe një tjetër që ka ofruar zero lekë. Pra praktikisht tenderi nuk ka patur fare konkurrencë, pasi nga dy garues, njëri nuk ka dhënë fare ofertë.

Një rast i tillë është përdorur thuajse gjithmonë në rastet kur tenderat kanë qenë fiktivë dhe kur bëhen pazare mes fituesit dhe institucionit që jep tenderin. Në rastin konkret fituese është shpallur kompania TRADE AND CONSTRUCTION GROUP në pronësi të Fabjan Diçi, për vlerën e ofruar 11,985,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 140 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH.

Kjo shifër ndërkohë është sa 96% e fondit limit të tenderit, duke e bërë Erinda Finon kandidate mëse të mundshme për një hetim nga SPAK.

Publikuar nga Publik Media