Dua Lipa, Kep Merli dhe debati për koherencën publike
Vetëm pak ditë më parë, Dua Lipa ishte e ftuar në podcastin e Lea Ypit, ku foli edhe për protestat kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura të Shqipërisë. Fakti që një artiste me ndikim ndërkombëtar i kushtoi vëmendje këtij debati u vlerësua pozitivisht nga shumë njerëz.
Megjithatë, qëndrimi i saj ka nxitur edhe pikëpyetje.
Për vite me radhë, Kep Merli ka qenë një nga destinacionet e preferuara të këngëtares dhe familjes së saj. Fotot e publikuara prej saj nga pushimet në jug të Shqipërisë janë përdorur shpesh si promovim i turizmit shqiptar, ndërsa vetë Dua Lipa e kishte cilësuar zonën si “vendin më të bukur në botë”.
Sot, ato postime nuk gjenden më në profilin e saj në Instagram, edhe pse vazhdojnë të qarkullojnë në media dhe në llogaritë e anëtarëve të familjes së saj.
Heqja e tyre mund të jetë thjesht një zgjedhje estetike ose pjesë e një riorganizimi të profilit. Nuk ka asnjë provë që kjo lidhet me zhvillimet e fundit. Megjithatë, koha kur ka ndodhur ky “pastrim” ka tërhequr vëmendjen.
Debati lidhet edhe me një tjetër fakt. Kep Merli, ku familja e Dua Lipës ka ndërtuar vilën dhe ka kaluar pushimet, është vetë një zonë e mbrojtur. Kritikët shtrojnë pyetjen nëse këngëtarja ka qenë në dijeni të statusit të zonës dhe të modelit të zhvillimit që është ndjekur aty, ndërkohë që sot shprehet kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura.
Për vite me radhë, imazhet e saj nga Kep Merli janë përdorur si kartolinë e turizmit shqiptar, ndërsa edhe kryeministri Edi Rama i ka shfrytëzuar shpesh si shembull të promovimit të vendit. Tashmë, në kulmin e debatit për zhvillimin e bregdetit, ato fotografi nuk figurojnë më në profilin e artistes.
Askush nuk ia mohon Dua Lipës të drejtën për të blerë një pronë apo për të pushuar ku të dëshirojë. Por kur një figurë publike përfshihet në një debat me interes publik, është e natyrshme që edhe qëndrimet e saj të analizohen në raport me veprimet dhe zgjedhjet e mëparshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



