Dumani, “vibratori” i Benit dhe punonjësit e drejtësisë
Kryeprokurori i Posaçëm, Altin Dumani, deklaroi në Parlament për çështjen e Arben Ahmetajt:
“Në çdo moment që një subjekt dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është mëse i mirëpritur.”
Në parim, kjo është një thirrje e drejtë, më mirë vonë se kurrë. Por lind pyetja themelore: kush janë punonjësit e drejtësisë, që ne të kuptojmë me kë po ftohet bashkëpunimi?
Nëse “punonjës drejtësie” janë ata prokurorë të SPAK-ut që shpërndajnë përgjime dhe dosje hetimore në media për “gjyq publik”, atëherë me Arben Ahmetajn janë bashkëpunëtorë prej kohësh. Madje, bashkëpunëtorë shkencorë: njëri i hedh në tavolinë akuzat, tjetri i kthen në lajme prime time. Dhe kështu, drejtësia shqiptare kthehet në reality show investigativ, me Dumanin si “producent ekzekutiv”.
Sepse faktet tregojnë se një pjesë e hetimeve të SPAK-ut janë ndërtuar pikërisht mbi denoncimet publike të Ben Ahmetajt, një paradoks i plotë që ngatërron kufijtë mes prokurorisë dhe talk show-t.
Nëse drejtësia do të kishte punëtorë të vërtetë, do t’i njihnim nga heshtja, nga rregulli i procedurës, nga etika e zyrës dhe integriteti i dosjes.
Por ata që nxjerrin dosje për t’u bërë “gjyqe popullore” nuk janë punëtorë të drejtësisë, janë tregtarë informacioni dhe nxitës thashethemesh popullore, që punojnë për perceptimin, jo për ligjin.
Mos harroni: në rastin e Ahmetajt, “provat” që u shpallën me entuziazëm publik, ishin edhe “vibratorët” që dolën si trofe korrupsioni. Një farsë që do të kujtohet gjatë si momenti më i ulët i komunikimit mes drejtësisë dhe opinionit publik.
Në këtë kuptim, ndoshta ftesa për bashkëpunim e Dumanit nuk është për qytetarët, por për kolegët e vet, ata që e kanë kthyer drejtësinë në spektakël./Ylli Manjani
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



