E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dy biznese denoncojnë tenderin e Arben Gjatës:  800 MLN lekë  Cushajt për Godinën e Anatomisë
Lajme

Dy biznese denoncojnë tenderin e Arben Gjatës: 800 MLN lekë Cushajt për Godinën e Anatomisë

Tenderi abuziv i Universitetit të Mjekësisë, drejtuar nga Arben Gjata, për rikonstruktimin e Godinës së Anatomisë i merrte fondet për  riparime  nga grantet e rindërtimit edhe pse vetë në preventiv citohej që godina nuk ka marrë dëmtime nga lëkundjet sizmike të tërmetit të vitit 2019. Kontrata e tenderit ishte nënshkruar në shkelje të ligjit si një dhuratë pas  bashkimit të operatorëve “L.T.E CONSTRUCTION” shpk – “C O L O M B O” shpk, më së shumti për Artur Caushajn. Kjo pasi komisioni i tenderit kishte eliminuar tërësisht konkurrentët.

Tani kjo aferë nuk mund të injorohet, sepse krahas denoncimit të bërë nga media për tenderin, çështja ka marrë përmasa zyrtare dhe ka të paktën dy ankesa në Komisionin e Prokurimeve Publike.

Arben  Gjata fshiu 18 firma nga gara vetëm e vetëm për t’u hapur rrugën e përfitimit biznesmenit Caushaj. Por, tashmë 2 prej tyre kanë zgjedhur të mos heshtin. Në njërin nga denoncimet thuhet se, më datë 27.02.2024 është administruar dorazi pranë Komisionit të Prokurimit Publik, ankesa me nr. 471/2024 prot., e operatorit ekonomik “AGRI CONSTRUCTION” SHPK. Kjo firmë pretendon se Universiteti i Mjekësisë as nuk e ka shqyrtuar ofertën e saj, por e ka skualifikuar pa të drejtë si dhe pretendon që është shpallur fituese oferta që nuk përmbushte kriteret e projektit.

“Kërkojmë gjithashtu që të verifikohet nga komisioni i shqyrtimit të ankesës dokumentacioni i paraqitur nga shoqëritë BOE L.T.E CONSTRUCTION SHPK & “Colombo” SHPK, “LEON KONSTRUKSION” SHPK dhe “ERAL CONSTRUCTION COMPANY” SHPK, pasi kemi dyshime të bazuara se dokumentacioni i paraqitur nga këto shoqëri është kontrolluar në mënyrë të përciptë dhe ato janë kualifikuar në shkelje të ligjit. Për shoqëritë e mësipërme kërkojmë të verifikohen: plotësimi i specifikimeve teknike për pajisjet e kërkuara. Disponimi i stafit teknik dhe specialistëve të paangazhuar, siç kërkohet në kërkesat për kualifikim, disponimi i mjeteve të paangazhuara në kontratat që shoqëritë kanë në proces, pagesa e taksave doganore në vendet ku shoqëritë kanë ushtruar aktivitet. Gjithashtu, kërkojmë të verifikohen edhe gabimet aritmetike në ofertat e tyre”, thuhet në ankesë.

Dhe pa filluar shqyrtimi i kësaj ankese, një tjetër denoncim ka mbërritur në KPP në të njëjtën datë nga firma “Pepa Group” SHPK, në pronësi të Violeta Pepajt.

Ndërsa shohim në dokumentin e mësipërm që, edhe Pepaj pretendon se janë skualifikuar pa të drejtë firmat që plotësonin kriteret dhe i është falur tenderi dy kompanive me oferta të papërshtatshme.

Urojmë që kompanitë të dalin me guxim dhe të çajnë rrethin e korrupsionit që kanë thurur zyrtarët. Kjo bëhet me denoncime në SPAK për veprën penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”, “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion”.

Kujtojmë se Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, në 1 shtator 2023, është  paraqitur në SPAK në cilësinë e personit nën hetim. Gjata, i cili është edhe shefi i Pavijonit të Kirurgjisë në QSUT, është një nga personat e akuzuar për çështjen e koncesionit të sterilizimit. GJKKO për Gjatën ka caktuar masën ‘detyrim paraqitje’.

Gjata, në kohën kur u lidh koncesioni më dhjetor të vitit 2015 ka pasur detyrën e anëtarit të komisionit të koncesionit të sterilizimit.

Nënvizojmë që me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro janë arrestuar ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj,  pronari i kompanisë Investital LLC. Po ashtu ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për koncesionin kontrovers të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.