E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
E-Albania në kolaps, qytetarët dhe bizneset mbeten pa shërbime
Lajme

E-Albania në kolaps, qytetarët dhe bizneset mbeten pa shërbime

Prej më shumë se një jave, portali qeveritar e-Albania po përballet me vështirësi të vazhdueshme në ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, ndërkohë që situata nuk është përmirësuar as këtë të diel. Platforma has probleme si në aksesimin e shërbimeve për qytetarët, ashtu edhe për funksionimin e proceseve për bizneset.

Në faqen zyrtare të e-Albania shfaqet njoftimi se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile po realizon operacione mirëmbajtjeje dhe përmirësimi të sistemit elektronik. Gjatë këtyre proceseve, përdoruesit mund të përjetojnë ndërprerje të përkohshme ose ngadalësime në marrjen e të dhënave përmes ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, ndërsa institucioni kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për çdo vështirësi të mundshme.

Pesë ditë më parë, Aleanca për Profesionistët e Lirë ngriti çështjen si problem kritik, duke vënë në dukje se bizneset nuk mund të marrin shërbime apo të kryejnë pagesa, duke kërkuar sqarime të mëtejshme. Në reagimin e saj, Aleanca thekson se:

“Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale.
Fenomeni ngre pikëpyetje jo vetëm mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve, por edhe mbi menaxhimin e riskut, kapacitetet e back-up-it, komunikimin institucional dhe mekanizmat alternativë që duhet të aktivizohen në raste të tilla.
Në këtë kontekst, vlerësojmë të domosdoshme: transparencë më të madhe mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre; forcimin e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe redundancës së sistemeve digjitale; parashikimin e procedurave alternative dhe shtyrjen automatike të afateve ligjore në raste mosfunksionimi të platformave; komunikim të qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet”.

Problemet e portali nuk prekin vetëm bizneset, por edhe individët. Shërbimet më të prekura janë regjistrimi i fëmijëve të porsalindur, aplikimet për pajisjen ose rinovimin e mjeteve të identifikimit dhe pasaportave.

Kjo situatë është bërë edhe më problematike në këtë periudhë fundviti, ku rikthimi i emigrantëve në atdhe është i lartë dhe shumë prej tyre shfrytëzojnë ditët e pushimit për të kryer dokumentacionet e nevojshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.