E-maili që ish-zyrtari i KiE i shkroi Epsteinit pas vizitës në Shqipëri
“Vajza të jashtëzakonshme në Tiranë!”
Takimet që zhvilloi me krerët më të lartë të shtetit
Një email i datës 25 maj 2012 hedh dritë mbi një komunikim privat mes Thorbjørn Jagland, asokohe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, dhe Jeffrey Epstein. Mesazhi elektronik është dërguar vetëm një ditë pas një vizite zyrtare të Jagland në Shqipëri.
Në përmbajtjen e email-it, Jagland shkruan shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme.”
Sipas axhendave dhe burimeve publike, vizita zyrtare e Jagland në Tiranë është zhvilluar më 24 maj 2012. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai ka zhvilluar takime institucionale me drejtuesit më të lartë të shtetit të asaj kohe, përfshirë ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin e Republikës, Bamir Topi. Vizita ishte pjesë e angazhimeve zyrtare të Këshillit të Europës në kuadër të mbështetjes për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës.

Thorbjørn Jagland ka shërbyer për disa vite si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, institucion paneuropian që mbikëqyr standardet demokratike në 47 vende anëtare. Ai ka mbajtur më herët edhe postet e kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Norvegjisë.
Email-i i publikuar nuk përmban detaje mbi takime private apo aktivitete jashtë axhendës zyrtare të vizitës në Tiranë. Komenti i bërë në këtë komunikim mbetet i paqartë dhe nuk shoqërohet me kontekst shtesë apo shpjegime të mëtejshme.
Megjithatë, fakti që ky mesazh është shkëmbyer me Jeffrey Epstein – një figurë e cila më vonë u përfshi në skandale të rënda ndërkombëtare – ka ngritur pikëpyetje mbi natyrën e kontakteve private të tij me figura të larta institucionale. Deri më tani, nuk ka prova publike që të dëshmojnë për ndonjë veprimtari konkrete përtej këtij komunikimi, ndërsa çështja mbetet e hapur për sqarime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



