E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
E mori ‘në qafë’ Cartier-i? KPA shkarkon prokuroren Mirela Zavalani
Flash

E mori ‘në qafë’ Cartier-i? KPA shkarkon prokuroren Mirela Zavalani

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të shkarkojë nga detyra prokuroren e Tiranës, Mirela Zavalani, pasi u konstatua deklarim i paplotë i pasurisë dhe cënim i besimit të publikut ndaj figurës së magjistratit.

Më herët, më 15 qershor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) e kishte konfirmuar Zavalanin në detyrë pas një seance dëgjimore ku u analizuan kryesisht gjetjet që lidhnin pasurinë e vjehrrit të saj dhe të ardhurat nga një pasuri e dhënë me qira kunatit. Kjo e fundit ishte deklaruar si një nga burimet e të ardhurave për blerjen e një apartamenti në kryeqytet.

Kërkesa për shkarkimin e saj është paraqitur nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), e cila ngriti dyshime për mospërputhje në deklarimet pasurore dhe për shkelje të standardeve të integritetit profesional.

Emri i Zavalanit u rikthye në qendër të vëmendjes edhe disa ditë më parë, pas një denoncimi anonim të publikuar në rrjet, ku një prokuror tjetër kritikonte kontrastet e mëdha brenda sistemit të drejtësisë. Në atë mesazh përmendej vajza e prokurores, Anxhela Zavalani, e cila në rrjetet sociale shfaqej me aksesorë të markës Cartier, pamje që, sipas autorit të denoncimit, ilustronte hendekun mes jetesës së disa zyrtarëve të drejtësisë dhe realitetit modest të shumë të tjerëve.

Ky denoncim nuk ishte pjesë formale e procesit të vetingut, por për shumëkënd u pa si tregues i mënyrës se si perceptohet drejtësia në publik, një përzierje mes pasigurive ligjore dhe simbolikës së luksit që sfidon besimin qytetar.

Me vendimin e sotëm, KPA i jep fund procesit ndaj Mirela Zavalanit, duke mbyllur një rast që për shumëkënd përfaqëson ndarjen mes “drejtësisë së përulur” dhe “drejtësisë së shfaqur në pasqyrat e luksit”.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 38/2023, datë 04.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 673, datë 15.06.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Mirela Zavalani.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 673, datë 15.06.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Mirela Zavalani.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall në Tiranë, sot, më datë 24.10.2025.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.