‘E priste me entuziazëm’, vëllai zbulon planin e fundit të Shpat Kasapit
Këngëtari i njohur Shpat Kasapi ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare, një lajm që ka tronditur familjen, miqtë dhe gjithë publikun shqiptar. Tragjedia ka ndodhur të martën mbrëma në Itali, ku artisti ndodhej së bashku me bashkëshorten dhe djalin e vogël, të cilin e kishin çuar për një kontroll mjekësor.
Vëllai i Shpatit, Albini, tha se ndihma e parë mjekësore iu dha menjëherë në banesë, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të shpëtohej. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se këngëtari ka pësuar një atak kardiak.
Kasapi ishte përzgjedhur si një nga banorët e edicionit të pestë të Big Brother Albania VIP, që pritet të nisë në dhjetor. Sipas Albinit, Shpati e kishte pritur me gëzim dhe entuziazëm ftesën për të marrë pjesë në reality show-n e njohur.

“E pranoi menjëherë dhe ishte i lumtur për këtë angazhim të ri… s’mund të them më shumë, jemi të tronditur”, u shpreh ai për Top Channel, duke shtuar se familja deri në momentet e fundit shpresonte që lajmi i ardhur nga Italia të mos rezultonte i vërtetë.
I pyetur nëse artisti kishte pasur probleme shëndetësore më herët, vëllai i tij tha se Shpati kishte përjetuar disa shqetësime të vogla me zemrën, por asgjë që konsiderohej e rrezikshme.
Aktualisht, trupi i tij ndodhet në Itali dhe pritet që së shpejti të përmbyllen procedurat për sjelljen e tij në atdhe, ku familjarët dhe publikui do të mund t’i japin lamtumirën e fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



