E trishtë! Dy të rinjtë shqiptarë humbin jetën tragjikisht në Greqi
Një aksident i rëndë rrugor në Greqi i ka marrë jetën dy të rinjve shqiptarë, në një ngjarje tragjike të regjistruar mbrëmjen e kaluar në Nea Peramos, në zonën e Kavallës.
Viktimat janë identifikuar si Arditi, 34 vjeç, dhe Marigleni, 36 vjeç. Dy të rinjtë mësohet se ishin miq të afërt dhe ndodheshin në rrugën që lidh Nea Peramosin me zonën e Ammolofoit kur ndodhi përplasja fatale.
Sipas raportimeve nga mediat greke, aksidenti përfshiu një motor dhe një monopatinë elektrike. Përplasja rezultoi me pasoja tragjike për të dy shqiptarët.
34-vjeçari Arditi, i cili drejtonte motorin, mori plagë të rënda dhe nuk mundi t’u mbijetojë dëmtimeve të shkaktuara nga aksidenti.
Ndërkohë, Marigleni, 36 vjeç, që udhëtonte me monopatinën elektrike, u transportua në gjendje kritike drejt Spitalit të Përgjithshëm të Kavallës. Mjekët ndërhynë kirurgjikisht në përpjekje për t’i shpëtuar jetën, por 36-vjeçari ndërroi jetë gjatë orëve të para të mëngjesit.
Kështu, aksidenti i rëndë përfundoi me dy viktima, duke shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe komuniteti shqiptar në zonë.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të përplasjes, si dhe shkaqet që çuan në aksidentin me pasojë vdekjen e dy të rinjve shqiptarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



