EMËRIMET/ Mblidhet KLP, përplasje për vendet vakante në sistem
Mungesa e prokurorëve ka shtuar vendet vakante, e për pasojë, është krijuar problem në disa prokurori të rretheve gjyqësore. Shqetësimi është ngritur dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Përveç këtij shqetësimi evident tashmë në të gjithë vendin, mësohet se ky Këshill ka marrë disa vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me emërime të reja, si dhe me përcaktimin e një date ku do të shqyrtohet çështja e dy prokurorëve, që sipas këtij Këshilli, janë nën procedim disiplinor.
Nuk bëhet e ditur se për kë bëhet fjalë konkretisht, por sipas të dhënave, njëri prej tyre është magjistrat.
Po ashtu, në këtë mbledhje dy prokurorët e njohur Sokol Stojani dhe Zeqir Hoda kanë ngritur shqetësimin për numrin e vakancave në sistem të shkaktuara nga procesi i vetingut. Sipas tyre, numri ka arritur në 120 prokurorë, fakt ky që e vështirëson ndjeshëm funksionin e zyrave të prokurorisë në vend.
Sipas të dhënave, mësohet se ata i kërkuan Këshillit të jetë i kujdesshëm me përdorimin e instrumenteve në dispozicion, si emërimi, caktimi i përkohshëm dhe transferimi i përkohshëm me pëlqim i prokurorëve brenda sistemit të prokurorisë – kjo për të mos ndikuar negativisht në punën e prokurorëve dhe në përballimin e ngarkesës, shkaktuar nga numri i madh i dosjeve.
Por kjo kërkesë menjëherë është kundërshtuar me një vendim për transferim nga Prokuroria e Vlorës tek ajo e Sarandës. Ka qenë kërkesa e prokurorit Kledian Llaho për t’u transferuar që është pranuar nga Këshilli, ndërkohë që Sokol Stojani ka votuar kundër kësaj lëvizjeje.
KLP njofton se në fakt ishin 10 vota pro dhe një kundër, e për pasojë, transferimi është pranuar. Po ashtu, me votë unanime, Këshilli ka vendosur caktimin e përkohshëm të Irena Çunotit nga prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, për një periudhë 4-mujore.
Ndërkohë është shqyrtuar edhe dorëheqja e Maksim Sotës dhe pensioni i parakohshëm i prokurorit Petrit Bica. KLP ka njoftuar se do të mblidhet sërish në shkurt për të shqyrtuar masat disiplinore për të dy prokurorët, ndërkohë që nuk është mësuar se si mund të veprohet për të plotësuar vendet vakante që janë hapur në një sërë prokurorish dhe që janë kthyer në një shqetësim serioz për funksionimin e sistemit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



