EMRAT/ Kush janë zyrtarët e FOTOS së famshme të ‘BANDËS 2B’
Gazment Bardhi publikoi një fotografi ku shfaqet një grup zyrtarësh që ai i etiketon si “Banda 2B e Belinda Ballukut”. Në imazh duken njerëzit më të afërt të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, e cila pas njoftimit të akuzës nga SPAK dhe marrjes nën hetim si e pandehur, u pezullua nga GJKKO nga të gjitha funksionet qeveritare.
Në qendër të fotos është personi që bën selfien: Evis Berberi, ish-drejtues i ARRSH-së, aktualisht në burg nën akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Në krahun e djathtë shfaqet Viola Haxhiademi, sekretare e përgjithshme e ministrisë dhe kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave për tunelin e Llogarasë, një figurë kyçe për çdo dokument, firmë apo fond publik që kalonte në dikaster.
Pranë saj është Vikrita Çuto, drejtoresha e burimeve njerëzore, ndërsa e treta në renditje, me flokë të zeza, është Sindi Dushku, shefja e kabinetit dhe kushërira e deputetes Olta Xhaçka.
Në krye të tavolinës qëndron Ceno Klosi, dhe menjëherë pas tij Arber Avrami, ish-drejtor i Albgaz. Më tej në foto shfaqet vetë ministrja, e rrethuar nga bashkëpunëtorët e tjerë, mes të cilëve edhe këshilltari për mediat Florian Serjani. Në krah të tij qëndron Evis Mamaj, drejtoresha e buxhetit në MIE, e konsideruar si një nga personat kyç në shpërndarjen e fondeve; telefoni i saj është sekuestruar nga hetuesit.
Sipas Bardhit, ky grup mblidhej shpesh në një apartament të njohur si “Apartamenti 6”, në Shkallën H të kompleksit Nobis, ku sipas tij vendoseshin paraprakisht fituesit e tenderave të ministrisë dhe mënyra se si ndaheshin fondet.
Ai shkruan se “Banda 2B” funksiononte si një strukturë e mirëorganizuar për menaxhimin klientelist të kontratave publike, me tendera që kapnin qindra milionë euro. Po sipas tij, përqindjet korruptive ndaheshin mes anëtarëve të rrjetit, ndërsa një pjesë e parave përdorej në fushata zgjedhore ose në shpenzime luksi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



