Why is there no normal prosecutor for the police officer who shot at the ‘prey’ on the boulevard?!
This article was translated automatically from the Albanian original. 🇦🇱 Lexo në shqip
Po bëhen me qindra video, por sot ajo e efektivit Ersid Alliu ishte shokuese. Jo pse qytetari ishte deputet, por për faktin se ndaj tij u qëllua sikur të ishte një derr i egër në pyll. Po shkojmë shumë larg me dhunën. Nëse ka prokuror që e do sadopak atdheun, duhet me urgjencë të urdhërojë arrestin në flagrancë të këtij efektivi. Ai po qëllonte për të vrarë një protestues. Le ta gjykojë gjykata, ashtu siç policia arreston djem të rinj dhe vajza të reja vetëm pse marrin pjesë në protestë. Por dyshoj se ka bythë ndonjë prokuror ta bëjë këtë. Sepse prokurorët dhe gjykatësit në Tiranë dhe në rrethe e kanë mendjen te pritja e faturave të ryshfetit, edhe për krimet më ordinere. Dje pamë dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Ramën dhe Kurtin, që u bashkuan sa për sy e faqe në Vlorë, ndërsa Rama kishte gjithë gardën dhe forcat speciale që e ruanin. Nga kush e ruajnë? Nga populli vlonjat që e ka votuar deputet. Nuk ka ndodhur prej tre dekadash që vendi ku u ngrit flamuri kombëtar në Vlorë të mbrohej me gaz lotsjellës dhe sprej me piper, sepse patriotët e vërtetë dhe protestuesit do të protestonin ndaj kryeministrit të korruptuar. Skenat që pamë në Tiranë dhe Vlorë na tregojnë sa poshtë ka rënë jo vetëm patriotizmi, por edhe vetëdija kombëtare. Plumbi prej gome sot ndaj deputetit të opozitës Kliti Hoti, nga afër, është turpi i Policisë së Shtetit. Ky është fundi i rendit kushtetues. Tashmë opozita, edhe ashtu siç ishte, pa plumba gome, ishte e plagosur. Është turp për opozitën dhe deputetët e saj që ende kanë iluzione se mund të bëjnë zgjedhje me regjimin e Edi Ramës. Edi Rama ka frikë të dalë në rrugë vetëm, pa gardistët dhe policinë. Madje edhe deputetët e ministrat kanë frikë të dalin në kafenë e lagjes. Ikin si skuthë. Ky është nëntori i triumfit të hajnave. „Kryepatrioti” Rama ka arsye të krenohet, sepse në 4 mandate ka më shumë se gjysmën e popullsisë që mezi mbijeton; sepse ka një sistem shëndetësor ku thërret qameti, që tani po e shtetëzon në duart e privatëve të sojit të Ron Yeffet. „Kryepatrioti” duhet të krenohet se e katandisi arsimin në pikë të hallit; kryepatrioti ka të drejtë të krenohet me trafikun e rënduar dhe me rrugët që ka lënë rrugëve. Të krenohet me taksat më të larta, me naftën më të shtrenjtë në Europë. Katandisi Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, prokuroritë e rretheve dhe madje edhe SPAK-un nën urdhra dhe lepe-peqe për nevojat e kolltukut të tij. Sot një prokuror i gatshëm i Prokurorisë së Tiranës duhej të ishte në vendngjarje dhe të arrestonte në flagrancë efektivin që qëlloi si mbi një kafshë gjahu në mes të bulevardit, madje afër Ministrisë së Rendit. Por fakti tragjik dhe i hidhur është se këtu nuk kemi as prokurori, as SPAK, as gjykata që japin drejtësi. Por këtu kanë mbetur ende disa patriotë, që jetojnë në akte të heshtura, në punën e ndershme, që i paguajnë taksat këtij autokrati hajdut. Patriotizmi është dashuri për vendin dhe gjuhën, përgjegjësi ndaj atdheut dhe kod moral në shërbim të së mirës së përbashkët. Një patriot i vërtetë duhet të jetë gjithmonë i gatshëm ta mbrojë vendin e tij kundër një qeverie kleptokrate si kjo që kemi prej 13 vitesh. A është ky nëntor fiks koha? Varfëria është ulur këmbëkryq, asimetria e zhvillimit të kullave dhe resorteve të klientëve të qeverisë, infrastruktura e dobët, grupe të tëra shoqërore të lëna pas dore, ndërkohë lubitë e pushtetit që rrëmbejnë gjithçka të mirë materiale nga ky vend. Mungesa e meritokracisë dhe prania besnike e patronazhistëve janë aty, të dukshme për këdo. Ndërkohë njerëzit e thjeshtë e kuptojnë ende patriotizmin si respekt ndaj ligjit dhe përmbushje detyrimesh, kurse të tjerët, në emër të „mbrojtjes së kombit”, marrin ç’të munden, i falin copat e atdheut si gurabie. Zhvatin me oligarkët çdo fitim dhe të mirë materiale. Shqiptarët e shprehin dashurinë për atdheun me simbole dhe emocione të forta, madje ekzaltohen në ndeshjet e futbollit të kombëtares, por rrallë e përkthejnë atë në përgjegjësi qytetare. Këngët, flamujt dhe festimet mbeten kujtesë e një dite. Trishtimi më i madh është se në këtë nëntor të vitit 2026 shumica e shqiptarëve nuk i besojnë më shtetit, me gjysmë institucionesh që të vrasin në mes të bulevardit dhe para kamerave. Tashmë 81% e qytetarëve mendojnë se korrupsioni i „kryepatriotit” Rama, nga qeveria e tij deri te bashkitë, është normë qeverisëse. Ky nëntor i hajnave na zuri të kapluar nga urrejtja. Në fakt, ky vend do drejtësi dhe qeverisje nga patriotët e vërtetë. Dhe hajnat nuk janë kurrë patriotë. Sa shumë urrejtje kemi mes vetes, 2 milionë shqiptarë. Dhe hajnat e politikës shqiptare funksionojnë të qetë, sepse na kanë ndarë „ne” nga „ata”. Këtu na mbytën pseudopatriotët, që e kanë më të lehtë urrejtjen nga tastiera patronazhiste sesa patriotizmin e vërtetë, që po proteston prej 6 muajsh dhe që i mungon kaq shumë vendit tonë. Këtë komb mund ta shpëtojnë vetëm patriotët e vërtetë, pa dallim feje a krahine. Kurrësesi hajnat e vjetër dhe të rinj, që e katandisën deri në prag ekzistence.