E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Erdhëm për ty’, demokratët shuplakë të rëndë kreut të PD-së
Lajme

‘Erdhëm për ty’, demokratët shuplakë të rëndë kreut të PD-së

Fjalimi surprizë që elektrizoi takimin e Salianjit

Qyetarët kritikojnë në sy Berishën

Një moment i veçantë dhe mjaft domethënës është regjistruar gjatë takimit të Ervin Salianjit me demokratët në Shkodër, ku në fund të aktivitetit një qytetar u ngjit në podium për të shpjeguar arsyen pse kishte vendosur të ishte i pranishëm.

Qytetari u shpreh se prej rreth 30 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se vjen nga një familje e persekutuar. Ai sqaroi se kishte marrë pjesë në takim pasi kishte mësuar se aty ndodhej ish-deputeti demokrat dhe se salla ishte e mbushur me të rinj. Sipas tij, një angazhim i tillë nuk do ta kishte marrë as për Sali Berishën dhe as për Edi Ramën, duke theksuar se nuk është pjesë e asnjë partie politike.

“Jetoj prej tri dekadash në SHBA dhe vij nga një familje e persekutuar. Nuk jam partiak. Kur pashë gjithë këtë rini që po hynte në sallë dhe mora vesh se ishe ti këtu, erdha. Nuk do të vija as për Ramën, as për Berishën. Jam kombëtar, dua Shqipërinë dhe shqiptarët,” u shpreh ai, duke shtuar se gjatë viteve ka pritur dhe takuar figura të rëndësishme politike shqiptare dhe ndërkombëtare, si Sali Berisha, Edi Rama, Lulzim Basha, Voltana Ademi, madje ka lobuar edhe pranë ish-presidentit amerikan Bill Clinton për çështjen shqiptare, për çka është vlerësuar edhe nga Kongresi i SHBA-së para mbi 1200 shqiptarëve.

Ai theksoi se për të ka rëndësi vetëm që drejtimin e vendit ta marrë kush është më i afti, pavarësisht nëse vjen nga e majta apo e djathta, ndërsa shtoi se ka ardhur koha që gjenerata e vjetër t’ua lërë drejtimin të rinjve.

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Ervin Salianjit, qytetari theksoi se rruga politike që ka zgjedhur nuk është e lehtë, pasi sipas tij, ata që kanë përfituar prej vitesh nga pushteti nuk heqin dorë lehtë nga interesat e tyre. Megjithatë, ai u shpreh i impresionuar nga energjia e të rinjve dhe i bëri thirrje rinisë të bashkohet rreth Salianjit, duke theksuar se ndryshimi nuk duhet pritur nga jashtë.

“Mos prisni që Amerika të vijë t’i bëjë punët në shtëpinë tonë. Duhet t’i bëjmë vetë këtu,” tha ai.

Ndërkohë, një tjetër moment kritik është shënuar edhe gjatë takimit të zhvilluar nga Partia Demokratike në Korçë, ku një qytetar i pranishëm iu drejtua drejtpërdrejt kreut të PD-së, Sali Berisha, duke ngritur shqetësime për situatën e brendshme të partisë.

Qytetari u shpreh se jo gjithmonë PD-ja duhet t’i thurë lavde vetes, por duhet të pranojë edhe gabimet e saj, duke theksuar se jo çdo problem duhet kërkuar vetëm te kundërshtari politik. Ai deklaroi se brenda partisë kanë ekzistuar raste “shitjeje” dhe kërkoi që në analizën e brendshme këto çështje të përmenden hapur, madje edhe me emra.

“Duhet t’i themi gjërat siç janë. Kemi edhe problemet tona, kemi gabuar edhe ne. Ka pasur edhe shitje brenda nesh dhe këto duhet të thuhen,” u shpreh ai, duke theksuar respektin për Berishën.

Nga ana e tij, Sali Berisha pranoi se në radhët e Partisë Demokratike ka pasur individë që kanë vendosur interesat personale mbi idealet e opozitës, duke konfirmuar se këto fenomene janë konstatuar edhe gjatë zgjedhjeve të fundit.

Berisha deklaroi se një analizë e thelluar do të bëhet dhe se personat që, sipas tij, kanë shkelur besimin e qytetarëve do të veçohen, pasi kanë kaluar vijat e kuqe.

“Kjo parti nuk na ka borxh ne, përkundrazi, ne i kemi borxh asaj. Ka pasur njerëz që kanë vendosur interesat e tyre mbi idealet për të cilat luftojmë. Ajo që thatë ka ndodhur dhe ne do ta analizojmë. Ata që kanë shkelmuar besimin e qytetarëve do të veçohen, sepse kanë kaluar vijat e kuqe,” u shpreh kreu i PD-së.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.