Ergys Agasi një ‘thesar’ provash për SPAK
Ergys Agasi nuk është thjesht një person në kërkim, por një figurë që, pa dashje, ka ekspozuar nga brenda një sistem të tërë korrupsioni. Kështu shprehet gazetari Artan Hoxha, i cili thekson se dokumentimi i detajuar që Agasi ka bërë për çdo premtim, takim dhe ndërhyrje, është kthyer sot në një arkivë provash me vlerë të jashtëzakonshme për drejtësinë.
Sipas Hoxhës, Agasi ka vepruar si një “sondë” që ka depërtuar në damarët e pushtetit, duke zbuluar mekanizmat e vërtetë të përfitimeve të paligjshme. Materialet që ai ka mbledhur shkojnë shumë përtej skandalit të AKSHI-t, i cili përfaqëson vetëm majën e ajsbergut.
Hetuesit e BKH-së, thekson gazetari, janë përballur me një volum aq të madh provash, sa situata ngjan me një “kazan ushtrie” plot dëshmi inkriminuese, ku çdo element që preket nxjerr në pah një tjetër skemë. Kjo e ka futur drejtësinë në një sfidë të paprecedentë.
Në këtë kontekst, Agasi ndodhet përpara një dileme kritike: të dorëzohet dhe të vihet nën mbrojtjen e SPAK-ut duke bashkëpunuar, ose të vazhdojë të qëndrojë i fshehur, duke u kthyer në një peng dhe kërcënim për të gjithë ata me të cilët ka bashkëpunuar.
Ironikisht, Agasi duket më pak i shqetësuar se sa ata që kanë punuar me të. Sepse ai ka dokumentuar gjithçka. Ky dokumentim, i bërë për të mbrojtur projektet e veta, sot po fundos vetë sistemin që mendonte se ishte i paprekshëm.
Hoxha e cilëson këtë si një vetëbesim të sëmurë të pushtetit, ku teknologjia, tenderët sekretë dhe buxhetet e fryra janë përdorur për të “shitur ajër” dhe për të ndërtuar një shtet virtual mbi vjedhje reale. Dhe sot, kur burimet janë tharë, “tenxheret kanë mbetur bosh” dhe kanë nisur të ulërasin.
Sipas gazetarit, kjo është arsyeja pse gjithçka po kthehet mbrapsht: një sistem që mendonte se ishte mbi ligjin, po fundoset nga provat që vetë ka prodhuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


