Ergys Agasi rrezikon të eliminohet nga bota e krimit, di shumë gjëra
Paralajmërimi i fortë i gazetarit Artan Hoxha
Gazetari Artan Hoxha deklaroi se Ergys Agasi duhet të dorëzohet, pasi sipas tij ndodhet në rrezik serioz nga bota e krimit, me të cilën ka bashkëpunuar duke shërbyer si ndërmjetës mes interesave kriminale dhe institucioneve shtetërore.
Hoxha u shpreh se Agasi ka marrë përsipër operacione të mëdha financiare, përfshirë projekte kullash dhe gratacielash që nuk pritet të realizohen më. Sipas tij, kjo e vendos Agasin në një pozitë të vështirë, pasi nuk ka peshën dhe mbrojtjen që kanë pasur figura të tjera të nivelit të lartë. “Ai nuk është as Nar Koka dhe as Vangjush Dako. Bota e nëndheshme nuk i zgjidh problemet me negociatorë, por me eliminime fizike. Për këtë arsye, dorëzimi do të ishte alternativa më e leverdishme për të, sesa qëndrimi në arrati me këtë rrezik mbi kokë,” tha Hoxha.
Gazetari shtoi se Agasi është një person që di shumë dhe se pikërisht kjo e bën edhe më të rrezikuar. Ai theksoi se gjatë kontrollit të ushtruar nga SPAK në banesën e Agasit, telefoni i sekuestruar ka zbuluar lidhje të drejtpërdrejta me tendera të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
“Në telefonin e Agasit, gjatë kontrollit të kryer në qershor, hetuesit kanë shkuar tek tenderat e AKSHI-it, që nisin nga shuma rreth gjysmë miliard euro dhe vijojnë në rritje. Këtu flitet për një volum të jashtëzakonshëm parash,” u shpreh Hoxha në emisionin “Kjo Javë”.
Ai shtoi se drejtuesja e AKSHI-it ka qenë ndër më jetëgjatat në detyrë dhe se sipas tij ekzistojnë lidhje të forta mes këtij institucioni dhe botës së nëndheshme. “AKSHI ka pasur lidhje me botën e krimit dhe Ergys Agasi ka qenë koordinatori i tretë mes saj dhe këtyre interesave. Shpresoj që ai t’i mbijetojë kapjes,” përfundoi Artan Hoxha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



