Erion Braçe del kundër ‘Territoriales’, bën thirrjen e fortë (VIDEO)
Debati për reformën e re territoriale ka hyrë në një fazë të nxehtë, ndërsa kundërshtimet në terren po shoqërohen me protesta dhe reagime të forta qytetare. Në këtë klimë tensioni, deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar që procesi të mos trajtohet thjesht si një çështje teknike, por të hapet për konsultim të gjerë me qytetarët.
Përmes një reagimi publik, Braçe u ndal te tre bashki që preken drejtpërdrejt nga drafti i mazhorancës – Poliçani, Divjaka dhe Libohova – duke theksuar se ato nuk janë thjesht njësi administrative, por zona me histori, identitet dhe zhvillim të konsoliduar ndër vite.
Ai e lidhi qëndrimin e tij edhe me reagimet e fundit në terren, duke përmendur protestën në Poliçan, ku pati edhe akte simbolike si djegia e teserave të Partisë Socialiste, si dhe kundërshtimet e shprehura në Divjakë dhe Libohovë. Sipas tij, këto zhvillime tregojnë qartë se qytetarët kërkojnë të dëgjohen dhe të përfshihen në vendimmarrje.
Reagimi i Braçes vjen në një moment kur projektligji për reformën territoriale, që synon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ka nxitur pakënaqësi në disa zona të vendit, përfshirë Poliçanin, Klosin dhe Dimalin.
Deputeti thekson se procesi duhet të shoqërohet me transparencë dhe dialog të hapur, ku qytetarëve t’u shpjegohen arsyet e ndarjes së re dhe ndikimi që ajo do të ketë në jetën e tyre. Ai kërkon që institucionet të dëgjojnë argumentet e komuniteteve dhe të reflektojnë mbi to, duke e konsideruar këtë si një detyrim të domosdoshëm të procesit.
Braçe nënvizon gjithashtu vlerat historike dhe ekonomike të zonave që rrezikojnë të shkrihen, duke argumentuar se zhvillimi i tyre nuk mund të injorohet në një vendimmarrje që prek drejtpërdrejt strukturën administrative të vendit.
Në përfundim, ai apelon për qetësi dhe mençuri në trajtimin e reformës, duke e cilësuar atë si një proces që duhet të jetë mbi të gjitha njerëzor dhe gjithëpërfshirës.
Reagimi i plotë i Erion Braçes
“Dita e djeshme ishte e vështirë, për shkak të ndarjes së propozuar administrativo-territoriale. Reforma duhet të jetë shumë më e madhe se kaq.
Tri bashki me të cilat unë kam një lidhje të posaçme, Poliçani, vendi ku jam zgjedhur për herë të parë deputet; Divjaka, vendi ku jam zgjedhur për 12 vite deputet (nga Poliçani në Divjakë gjithmonë me votë të drejtpërdrejtë); Libohova, vendi i origjinës shkrihen dhe bëhen pjesë e bashkive të tjera.
Dita u bë më e vështirë pas protestës në Poliçan, të banorëve atje, socialistëve me ta; pas fyerjeve të disa portaleve të Lushnjës ndaj Divjakës, të papranueshme e të padenja, veçanërisht kur mëson se ndonjë prej tyre është i lidhur me Bashkinë e Lushnjës; sot, kur kryetari i Bashkisë së Libohovës, në stilin e mirënjohur kombëtarisht të saj, thoshte të tijën si kundërshti, qetësisht, në mënyrë të argumentuar dhe qytetarisht. Në Libohovë thonë: “Ngrije zërin aq sa fjalët e shtëpisë të mos i dëgjojë gjitoni.”
Unë mendoj se tani është koha të dëgjojmë njerëzit. Jo thjesht udhëheqësit e këtyre bashkive, por njerëzit. Ata nuk janë dëgjuar dhe ky është problem. Të ndajmë me ta informacion për arsyet dhe çfarë ndodh me ta, me njerëzit pas kësaj ndarjeje; të dëgjojmë mendimet e tyre, argumentet e tyre, t’i debatojmë me ta, të reflektojmë! Ky është detyrim i procesit.
Kini parasysh se nuk kemi të bëjmë me tri njësi administrative të humbura e të mbaruara. Libohova ka qenë nënprefekturë që në vitin 1914, ka qenë aty që nga shekulli i katërt para erës sonë; ka qenë qytet përherë, siç thoshte Moikomi i Madh: “Nuk ka fshat me kala dhe kullë sahati.” Divjaka, apo Arnisa e Përjetshme, ka qenë aty në 500 vitet e fundit e më herët; është zhvilluar aq shumë në 12 vitet e fundit nga pikëpamja ekonomike dhe e prodhimit, infrastrukturore, sociale, sa e ka bërë shumë herë Lushnjën të duket shumë prapa, mbetur prapa. Poliçani është një qytet i ndërtuar për nevoja strategjike të industrisë ushtarake, për të cilën jo vetëm flitet, por ka edhe nevojë jetike tani, dhe ai – Poliçani – është gati. Nuk mund të jetë vetëm Tirana ekonomia e këtij vendi në çdo degë.
Pra, duhet qetësi e mençuri për të dëgjuar njerëzit; duhet të dëgjojmë ne së pari, pastaj njëri-tjetrin. Ka argumente plot për të këmbyer dhe ky nuk është kurrë një proces i ftohtë teknik, por mbi të gjitha njerëzor”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



