Erion Braçe shënjestron deputetët: Pantallona 400 €, tuta 1000 €
Deputeti Erion Braçe ka marrë fjalën në Komisionin e Ekonomisë, duke folur për konfliktin e interesit dhe mënyrën e jetesës së deputetëve. Ai theksoi se fusha e veprimit të një deputeti është e përcaktuar qartë në Kushtetutë dhe nuk mund të krahasohet me detyrën e një drejtori apo të një agjencie ekzekutive qeveritare.
“Një vit deputeti dhe një vit drejtori që ka menaxhuar interesa të drejtpërdrejta për 10-12 vite nuk janë të njëjta. Nuk mund të vendosim një ndalim njëvjeçar për të gjithë. Ka çështje që kërkojnë diskutim të thellë”, tha Braçe.
Ai u ndal edhe te mënyra e jetesës së deputetëve, duke dhënë shembuj konkretë: “Ka deputetë me pantallona që kushtojnë 400 euro, ka tuta që shkojnë 1000 euro, dhe ka ato që kushtojnë 50 euro. Si do ta përcaktojmë këtë stil jetese? Kjo mund të krijojë konflikte mes nesh. Deputetit i ndalohet të kryejë çdo detyrë tjetër; ai mund të japë vetëm mendimin e tij dhe asgjë tjetër.”
Braçe shtoi se deputetët që vijnë nga zonat rurale mund të kenë toka dhe të operojnë aty, por nuk ka kuptim të marrin punëtorë për shfrytëzim të tokës për interesa personale, për sa kohë deklarojnë të ardhurat. Ai gjithashtu përmendi kategoritë që janë futur për kontrollin e pasurive dhe që nuk lidhen me tatimet apo doganat.
“Domethënë fusha e veprimit të një deputeti është e përcaktuar qartë në kushtetutë. Ndërkohë një deputet nuk është njësoj me një drejtor, që menaxhon interesat e drejtpërdrejta, por nuk është as i njëjtë as me një agjenci ekzekutive qeveritare. Një vit deputeti dhe një vit drejtori që prej 10-12 vitesh, ka menaxhuar interesa të drejtpërdrejta, tendera e me radhë, nuk shkon ndalimi. Kur kemi diskutuar për këtë gjë në një komision të krijuar në parlament në fillim të këtij viti… ta lësh një drejtor që ka menaxhuar miliona, vetëm një vit… nuk shkon.
Koha e konfliktit të tyre të interesit pasi dalin nga puna, nuk mund të ngelet një vit për të gjithë. E dyta gjë që kam, ka disa gjëra këtu që meritojnë zhvillim deri në fund. Mënyra e jetesës e kuptoj shumë qartë, vjen atje përtej, se atë po i thoja një kolegu këtu matanë, që ka pantallona me arna që janë në modë dhe bëjnë 400 euro, si do të përcaktohet ky stili i jetesës, ka tuta që bëjnë 1000 euro ka dhe ato që bëjnë 50 euro. Ka disa gjëra që mund të krijojnë konflikte mes nesh. Deputetit tuaj i ndalohet të kryejë çdo detyrë tjetër, do të japë vetëm mend, veç kësaj nuk do t’i lejohet gjë.
Ka deputetë që vijnë nga zonat rurale, ka tokë, do ta shfrytëzojë. Çfarë do të bëjë tani ai, të marri punëtorë që të shfrytëzojë tokën. Nuk ka sens. Për sa kohë deklaron të ardhurat. Ne kemi futur disa kategori që nuk janë në ligjin për kontrollin e pasurive. Nuk janë këto të tatimeve dhe doganave. Të gjithë i turren deputeti-deputeti po ujku vazhdo ujku atje që të than”, tha Braçe.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



