Ervin Salianji përplaset me Edmond Spahon! Reagon deputeti i PD: Çfarë do Mondi? Një këshillë për “mitralozin e partisë”
Ervin Salianji dhe Edmond Spaho të dy deputetë të Partisë Demokratike të Qarkut Korçë janë përplasur në distancë për shkak të pozicionimit dhe kritikave që ish-kreu i Grupit të PD-së adresoi karshi partisë së drejtuar nga Lulzim Basha si dhe pozicionimin në krahë të nismës “Foltorja” të Sali Berishës.
Ervin Salianji në një reagim në rrjetet sociale i ka bërë thirrje indirekt Edmond Spahos të mos luaj më emocionet dhe ndjeshmërie e demokratëve. Ai i ka kujtuar Spahos se ofiqet dhe përfitimet i ka marrë nga Partia Demokratike, por sipas tij ai po tenton të fusë frymën e përçarjes dhe për t’u rikthyer me turpet e dikurshme.
Deputeti i Korçës thekson më tej se rikthimin e PD-së së dikurshme nuk ka për ta lejuar askush pasi sipas tij demokratët janë të parët.
“Dy fjalë për kundërshtarët e 25 prillit që sot i shoh të valëvisin flamurin e PD! Mos luani me emocionet dhe ndjeshmëritë e demokratëve! Ofiqet dhe përfitimet që keni marrë nga kjo parti askush nuk po i kujton, por frymën e përçarjes me pretekstin e rikthimit edhe një herë me të njëjtat turpe që mbani mbi shpinë, nuk kanë për ta lejuar! Askush! Demokratët të parët!”, thekson Salianji.
REAGIMI I SPAHOS
Deputeti i demokrat, Edmond Spaho i pozicionuar në krah të Sali Berishës, ka replikuar me Ervin Salianjin, të cilin e ka quajtur si ‘mitralozin e partisë” që sulmon me urdhër.
Spaho thekson se Partia Demokratike ndodhet në një gjendje katastrofike dhe se ai s’mundi të ndryshojë asgjë në 8 vite.
Më tej, Edmond Spahi zbulon dhe ofertën që sipas tij i ka bërë Lulzim Basha, teksa thekson se i ofroi dy pozicione në Kuvend dhe në parti, por ai nuk i ka pranuar.
“Për dijeni te opinionit dhe kolegëve të mi në Grupin Parlamentar, disa ditë para mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar, Z. Basha më ka thirrur në zyrë dhe më ka ofruar dy pozicione në Kuvend dhe Parti. Nëpërmjet tyre do të isha edhe anëtar i Kryesisë së Grupit Parlamentar edhe anëtar i Kryesisë së PDSH”, thekson Spaho.
Më tej ai i ka kujtuar Salianjit që të mos e shajë më në telefon, pasi sipas tij pas çështjes “Babalja” telefonatat regjistrohen. “Edhe një këshillë të fundit për Mitrolozin. Mund ti vlejë edhe mitralierëve. Kujdes me fjalët sepse nuk janë si qentë që ju fërshëllen dhe i kthen prapa. Mos shaj në telefon, sepse që kur ndodhi ajo historia me Babalen të gjithë kanë filluar ti regjistrojnë bisedat. Besoj më kupton ku e kam fjalën”, thekson deputeti i Korçës..
Ervin Salianji: Dy fjalë për kundërshtarët e 25 prillit që sot i shoh të valëvisin flamurin e PD! Mos luani me emocionet dhe ndjeshmëritë e demokratëve! Ofiqet dhe përfitimet që keni marrë nga kjo parti askush nuk po i kujton, por frymën e përçarjes me pretekstin e rikthimit edhe një herë me të njëjtat turpe që mbani mbi shpinë, nuk kanë për ta lejuar! Askush! Demokratët të parët! ✌🤝🇦🇱
Edmond Spaho:
Replikë e detyruar me Mitrolozin e Partisë.
Ne Kohën e monizmit në vitet 60-70, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve ishte një kapterr gjoja shkrimtar, të cilin Partia e ndërsente sa herë deshte ti hante kokën ndonjërit. Kaq e madhe ishte paturpësia, egërsia dhe zelli i tij, sa që edhe Kadarenë mund ta nxirrte mediokër dhe antiparti.
Këtë tipin Lazgush Poradeci e quante Mitrolozi i Partisë. Një mitroloz të tille kemi edhe ne në PD.
Dje publikova një status ku ngre shqetësimin tim për gjëndjen katastrofike në të cilën ndodhet PD. U shpreha që PD është bunkerizuar dhe për këtë pranova edhe përgjegjësitë e mija si një nga drejtuesit e saj këto 8 vite, megjithëse nuk kam pasur hapësirë për të ndryshuar gjë.
PD ka nevojë të ndryshojë rrënjësisht në se dëshiron të fitojë zgjedhjet. Detyrimin për ndryshim dhe fitore e kemi në radhë të parë për njerëzit në baze të cilët janë pa punë dhe bukë.
Mendimet e mija nuk ua imponoj askujt, kushdo që i lexon të gjykojë sipas bindjeve të tij. Kjo vlen edhe për kolegët e Grupit Parlamentar. Çdo njëri prej tyre të më kritikojë me argumenta, madje ashpër, por pa fyerje dhe denigrime. Fjalën e lirë dhe norma të tjera demokratike po kërkojmë të vendosim në PD.
Çuditërisht, dje në mbrëmje në një stacion televiziv, Mitrolozi i Partisë filloi te mitralojë duke u përpjekur të më ofendojë dhe ulur në sytë e opinionit publik.
“Çfarë do tjetër Mondi, pyeti Mitrolozi i Partisë, në 25 vite ka qene Ministër, Kryetar i FSHF, Nënkryetar i Kuvendit, Kryetar i Grupit Parlamentar?”
Hajde e mos e quaj këtë bunkerizim!!! Sipas Mitrolozit, ne nuk duhet të flasim sepse kemi marrë karrige dhe duhet respektuar kodi i karrikekracisë!!!
Mitroloz, për të gjitha arritjet kam investuar energji, profesionalizëm, kohë dhe emocione dhe i kam arritur me konkurrim dhe votë. Ne vitin 1997, pasi lashë ministërllëkun, rifillova në PD si sekretar seksioni në lagjen time. Unë vetëm të ndenjurat kam të mijat, karriget janë të institucioneve.
Ty ta kuptoj hallin që ke dhe pse mitralon. Kushedi të ndihmon krahu tjetër dhe të zgjidhet halli.
Për dijeni te opinionit dhe kolegëve të mi në Grupin Parlamentar, disa ditë para mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar, Z. Basha më ka thirrur në zyrë dhe më ka ofruar dy pozicione në Kuvend dhe Parti. Nëpërmjet tyre do të isha edhe anëtar i Kryesisë së Grupit Parlamentar edhe anëtar i Kryesisë së PDSH.
I refuzova të dyja duke i thënë qe do të qëndroj vetëm Deputet. Kërkesës së tij për të konkurruar për anëtar të Kryesisë të PDSH i jam përgjigjur që nuk e kam qëllim në vetvete dhe nuk do konkurroj. Këtë e bëra edhe për të marrë pak përgjegjësi mbi vete për ku kemi mbërritur në PD.
Edhe një këshillë të fundit për Mitrolozin. Mund ti vlejë edhe mitralierëve. Kujdes me fjalët sepse nuk janë si qentë që ju fërshëllen dhe i kthen prapa. Mos shaj në telefon, sepse që kur ndodhi ajo historia me Babalen të gjithë kanë filluar ti regjistrojnë bisedat. Besoj më kupton ku e kam fjalën.
Të fala!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



