Familja Shkambi: Elvisi të mos trajtohet si kriminel, por si viktimë
Pas ngjarjes tronditëse të 6 tetorit në sallën e Gjykatës së Apelit, ku Elvis Shkambi, 30 vjeç, qëlloi me armë duke lënë të vrarë gjyqtarin Astrit Kalaja dhe duke plagosur Ervis dhe Rakip Kurtajn, familjarët e tij dhe të xhaxhait Gjon Shkambi kanë reaguar përmes një deklarate në emisionin “Quo Vadis”.
Në qëndrimin e bërë publik, ata theksojnë se distancohen nga dhuna, duke kërkuar vetëm paqe dhe drejtësi për të gjithë.
“Familjarët tanë janë prej kohësh viktima të një sistemi të korruptuar të drejtësisë, ku vendimet e padrejta dhe vonesat e pajustifikuara kanë sjellë vuajtje e sorollatje të pafundme”, thuhet në deklaratë.
Megjithëse ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik dhe në sistemin gjyqësor, familjarët Shkambi shprehen se kanë qenë të zhgënjyer nga mënyra si është trajtuar çështja e tyre ndër vite dhe nënvizojnë se nuk kërkojnë hakmarrje, por “një drejtësi që funksionon për të gjithë”.
Reagimi i plotë familjes
Ne, familja e përfshirë në ngjarjen tragjike të fundit, jemi thellësisht të tronditur nga ajo që ka ndodhur.
Së pari, duam të shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen e gjyqtarit. Nuk duam konflikt, por vetëm paqe dhe drejtësi.
Familjarët tanë janë prej kohësh viktima të një sistemi të korruptuar të drejtësisë, ku vendimet e padrejta dhe vonesat e pajustifikuara kanë sjellë vuajtje e sorollatje të pafundme.
Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse drejtësi dhe transparencë.
Jemi kundër shtrembërimit të fakteve dhe përdorimit të opinionit si fakt nga mediat. Opinioni nuk mund të zëvendësojë të vërtetën.
Ne kerkojme drejtësi për pronat tona, të cilat na janë mohuar padrejtësisht.
Kërkojmë që të mos i shkelet e drejta Elvisit dhe të mos te trajtohet si nje kriminel, por si nje viktime e nje sistemi qe po shkaterron nje popull te tere.
Kërkojmë gjithashtu që Gjoni të lirohet dhe të marrë drejtësinë që i takon.
Thirrja jonë është e qartë: duam paqe, duam trajtim njerezor dhe duam një sistem drejtësie që i shërben qytetareve, jo qe vepron kundër tyre.
Me respekt familjaret e Elvis Shkambi, Gjon Shkambi.
Çfarë ndodhi më 6 tetor
Drejtësia shqiptare u trondit nga ekzekutimi brenda gjykatës i gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Ai u qëllua me pistoletë tre herë.
Ngjarja e rëndë ndodhi brenda Apelit të Përgjithshëm menjëherë sapo gjykatësi Kalaja shpalli vendimin për të rikthyer në shkallën e parë një dosje për çështje pronësie.
Personi që qëlloi me pistoletë për vdekje, gjyqtarin Astrit Kalaja, është Elvis Shkambi, pasi xhaxhai i tij, Gjon Shkambi humbi gjyqin.
Por jo vetëm kaq. Autori mbushi armën brenda gjykatës e më pas qëlloi edhe ndaj dy personave, babë e bir, që ishin palët kundërshtuese në procesin gjyqësor dhe që fituan të drejtën nga apeli mbi pronësinë, Rakip dhe Ervis Kurtaj.
Menjëherë autori doli nga gjykata dhe armën e krimit ia dorëzoi rojes së sigurisë, ndërsa u vetëdeklarua fajtor.
Shkak i konfliktit që çoi deri në krimin tronditës, është bërë një pronë në qytetin e Shkodrës. Përplasja ka nisur rreth 15 vjet më parë, mes Gjon Shkambit që humbi gjyqin, xhaxhai i autorit, dhe 31 familjeve që jetojnë në shkollën e dikurshme të Rezervave në Shkodër. Secila palë pretendon se gëzon pronësinë mbi objektin ndaj prej vitesh çështja ka mbetur pa zgjidhje në dyert e gjykatave.
Kjo ka shërbyer si motiv që Elvis Shkambi t’i merrte jetën gjyqtarit prej 32 vitesh pjesë e drejtësisë shqiptare, Astrit Kalaja. Ky i fundit ka një karrierë të gjatë dhe së fundmi kishte kaluar me sukses procesin e vetingut, duke shërbyer në apelin e juridiksionit të përgjithshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



