E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fasada e rreme e lirimit të hapësirave publike!
Flash

Fasada e rreme e lirimit të hapësirave publike!

Pse nuk shembet ky pallat skandaloz në mes të Tiranës?

Igli Çelmeta

Lirimi i hapësirave publike është kthyer në një spektakël të turpshëm mediatik, një shfaqje për sy e faqe që s’ka asgjë të përbashkët me zbatimin real të ligjit. Pse nuk ndërhyni këtu? Pse nuk shembet ky pallat në mes të Tiranës, në lagjen Ali Demi, që ka bllokuar totalisht banesën autoktone të familjes tironse Allmuça?

Shikojeni vetë këtë skandal, një ndërtim i ri, i futur pothuajse brenda mureve të një banese historike. Dritaret e shtëpisë dalin jashtë funksionit, sepse pallati është ngjitur me të. Ligji është i qartë, duhet distancë minimale prej 3.5 metrash nga çdo ndërtesë tjetër. Por këtu ligji është bërë leckë. Këtu shteti është zhdukur. Apo më saktë, ka marrë anën e ndërtuesit!

Ndërkohë, për dy javë me radhë jemi bombarduar me propagandë “po lirohen hapësirat publike”, “po shembim ndërtimet pa leje”… Por të gjitha këto ndërtime i lejuan vetë, i panë, i firmosën, i toleruan për vite me radhë. Tani duan të bëjnë rolin e shpëtimtarit, sikur nuk kanë qenë pjesë e problemit. Kujt ia shesin këtë mashtrim? Kujt ia hedhin me këto aksione për kamera?

Rasti i familjes Allmuça është denoncuar prej më shumë se një muaji. Dhe institucionet heshtin. Asnjë reagim. Asnjë inspektim. Asnjë fadromë. Pse? Sepse nuk u leverdis. Sepse ndërtuesi ka “miqtë” e duhur. Sepse Tirana zyrtare mbron interesat e biznesit, jo qytetarëve.

Mos na hapni më barkun me fadroma në Tiranë apo në Theth, ku i kthyet në armiq edhe banorët që me djersë kanë ndërtuar turizëm. Ejani këtu në mes të Tiranës dhe tregoni se keni vërtet kurajo për të zbatuar ligjin. Por nuk e bëni dot, sepse këtu nuk është fshat pa media. Këtu nuk fshiheni dot pas tymnajës së propagandës.

Turp për çdo institucion që e sheh këtë padrejtësi dhe nuk vepron. Ky nuk është shtet. Kjo është hipokrizi e institucionalizuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.