E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Fati i zi  i Fatbardhit dhe banaliteti ynë me ‘DIELLËZAT’
Lajme

Fati i zi i Fatbardhit dhe banaliteti ynë me ‘DIELLËZAT’

Në kafenetë e Durrësit, zhurma e lugëve mbi filxhanë tretet bashkë me sheqerin në rutinën e bisedave të zakonshme.

Banaliteti i famës së “ministreshës Diella”, ndeshja e radhës, dreka dhe darka e mbrëmjes një rutinë vrastare që nuk e trondit asgjë.

A thua se dje nuk u shua një jetë, aty, në rrugët e këtij qyteti që shndrit vetëm nga pisllëku i vet. A thua se nuk vdiq një njeri për një arsye aq absurde, saqë edhe kronikat kriminale duken romane me logjikë.

Fatbardh Kaloshi, 44 vjeç, baba i tre fëmijëve, humbi jetën tragjikisht pasi ra në kontakt me rrymën elektrike të një shtylle të dëmtuar. Në momentin e aksidentit, ai kishte këmbët e zhytura në ujërat e shiut që kishin përmbytur zonën, duke e bërë situatën fatale.

Banorët e lagjes kishin ngritur prej javësh alarmin për rrezikun që paraqiste kjo shtyllë me tela të zhveshur, duke njoftuar edhe OSHEE-në. Por paralajmërimet nuk u morën parasysh, derisa ndodhi tragjedia.

Po, ndodhi. Një shqiptar, një bir i këtij vendi, humbi frymën mes një pellgu dhe një shtylle elektrike, të izoluar siç izolohet vetëm turpi i qeverisë qendrore e lokale dhe turpi i të gjithëve ne, pa përjashtim, që shikojmë fundshpinën tonë  larg  pellgut. Fatbardhi  vdiq nga fati i zi,  nga një sistem që ka hequr dorë prej njeriut. Një shtet që e lë qytetarin të zgjedhë mes rrymës së vdekjes dhe plumbit të verbër.

Dhe ne? Ne mbetemi këtu, me filxhanin në dorë, duke tundur kokën, duke kthyer sytë nga televizori i barit, duke shpresuar se shpëtuam fundshpinën edhe këtë herë. Jemi kthyer në spektatorë të humbjes së vetes. Pa nerv, pa din e iman, të pangopur, materialistë të sëmurë. Konformistë si askush tjetër në Ballkan.

Skena bëhet edhe më absurde kur, po në televizorët e kafeneve ku vrasim kohën, jepen lajme për Nepalin. Po, në Nepal njerëzit dalin në rrugë, ngrejnë zërin, e detyrojnë shtetin t’i dëgjojë. Ne, këtu, heshtim. Heshtim ndërsa qytetet gëlltisin jetët tona çdo ditë dhe ne kalbemi në indiferencën tonë, duke shkundur sheqerin mbi kafen në filxhan.

Fatbardhi nuk vdiq thjesht nga një aksident. Ai është një fotografi e saktë e Shqipërisë që kemi ndërtuar me duart tona: ku jeta e njeriut matet me centimetra kabllo të zhveshur  të hajdutëve të OSHEE-së  dhe me thellësinë e pellgjeve të Emiriana Sakos.

Një grusht politikanësh, në qeveri e në opozitë, mbajnë në dorë jetët tona. Dhe ne, edhe pse e dimë se ajo që i ndodhi Fatbardhit mund të jetë fati që pret secilin prej nesh, në mos korrenti i Ballukut, nga një plumb kallashi Ragipi që lan hesapet në mes të kafes. Ne bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë, vazhdojmë të ulim kokën.

Mos u çudisni! Ndërgjegjja jonë si njerëz është po aq e ftohtë sa filxhani bosh pasi kemi mbaruar kafen e përditshme që na ka falur Zoti. Në këtë vend, ndërgjegjja ka vdekur e para. Dhe tani, pak nga pak, po bëhemi po aq banalë sa edhe ministreshë “Diella”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.