Fatmira Luli dhe Nurihan Seiti, dy kandidatë kanë qenë gjyqtarë e prokurorë në gjyqet politike të diktaturës
Thellohet skandali për KPL dhe KLGJ: Dy kandidatë kanë qenë gjyqtarë e prokurorë në gjyqet politike të diktaturës
Ashtu siç dhe ishte parashikuar pas qëndrimeve të opozitës dhe denoncimit të 5 kandidatëve për KPL dhe KLGJ, se kishin probleme me të kaluarën e tyre apo dokumentacionin, mbrëmë në orët e vona të dy listat me kandidatët e përzgjedhur me short, u rrëzuan pasi nuk morën dy të tretat e votave, siç e kërkon ligji.
Sipas kushtetutës së re pas kësaj, procesi rikthehet në nën komisionin Ad hoc, edhe pse kandidatët mbeten të njëjtë. Por ajo që zbulon Zëri i Amerikës, seksioni shqip, në një shkrim kushtuar votimit të mbrëmshëm e thellon edhe më shumë skandalin, për mënyrën sesi janë përzgjedhur kandidatët për dy institucionet kyç të vettingut, KLP dhe KPLGJ, prej të cilave do të rrjedhin prokurorët dhe gjyqtarët e sistemit të ri të drejtësisë.
Mësohet se përveç emrave të denoncuar më herët nga opozita, mes tyre figurojnë edhe dy persona të seleksionuar nga radhët e avokatëve, të cilët sipas Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, rezultojnë të kenë marrë pjesë si prokurorë dhe gjyqtarë, në procese politike në kohën e diktaturës.
Bëhet fjalë për Fatmira Lulin dhe Nurihan Seitin të cilat kanë qenë përkatësisht gjyqtare dhe prokurore, në procese politike të zhvilluara deri para mesit të vitit 1991, pra përpara institucionalizimit të pluralizmit në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



