E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Faza e re e revoltës, protestuesit vënë në lëvizje selitë diplomatike
Lajme

Faza e re e revoltës, protestuesit vënë në lëvizje selitë diplomatike

Për herë të parë që prej nisjes së protestës, grupi koordinues i lëvizjes qytetare i është drejtuar me një letër publike përfaqësive diplomatike të vendeve perëndimore në Shqipëri, duke formalizuar kërkesat e tyre politike dhe institucionale.

Pas 27 ditësh protestë të pandërprerë para Kryeministrisë, organizatorët e cilësojnë këtë hap si një fazë të re të mobilizimit qytetar, duke kërkuar ndërgjegjësim dhe mbështetje ndërkombëtare për atë që e konsiderojnë një krizë të thellë demokratike në vend.

Në dokumentin zyrtar, protestuesit theksojnë se lëvizja përfaqëson një mobilizim të gjerë dhe paqësor, të fokusuar në rikthimin e shtetit të së drejtës, demokracisë funksionale dhe përgjegjshmërisë politike.

Njëkohësisht, për herë të parë bëhen publikë edhe anëtarët e grupit koordinues: Entela Koja, Arben Kola, Megan Balaj, Edviol Kulluri, Luçjana Kokaj, Gentjan Progni, Gjon Ndoj, Etleva Merko, Everest Bardhi, Përparim Gjeka, Mevlan Mata, Ilir Xhemalaj dhe Marjen Rama.

Pesë kërkesat kryesore
Në qendër të letrës qëndrojnë pesë kërkesa, të cilat organizatorët i cilësojnë si të panegociueshme.

Kërkesa e parë është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale, e konsideruar si hap i domosdoshëm për një rifillim të procesit demokratik.

Së dyti, kërkohet krijimi i një qeverie teknike transitore, jopartiake, me mandat 12-mujor, e cila do të garantojë administrimin e reformave dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Një tjetër pikë thelbësore është reforma e thellë kushtetuese, e cila sipas protestuesve duhet të miratohet përmes referendumit popullor. Kjo reformë përfshin ndryshimin e Kodit Zgjedhor, rishikimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe vendosjen e kufizimit të mandateve për kryeministrin në maksimum dy gjatë gjithë jetës politike.

Kërkesa e katërt lidhet me shfuqizimin e një sërë ndryshimesh ligjore, përfshirë Ligjin për Zonat e Mbrojtura, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, paketën e njohur si “Paketa e Maleve” dhe kuadrin për Investimet Strategjike, të cilat sipas tyre kanë dëmtuar interesin publik.

Në pikën e pestë, grupi koordinues propozon hartimin e një kontrate të re shoqërore mes qytetarëve dhe shtetit, përmes një procesi të gjerë konsultimi me ekspertë, intelektualë dhe përfaqësues të pavarur të shoqërisë civile.

Apel për mbështetje ndërkombëtare
Në përfundim të letrës, protestuesit u bëjnë thirrje ambasadorëve dhe përfaqësive diplomatike që të marrin në konsideratë seriozitetin e lëvizjes dhe të mbështesin një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të krizës politike në Shqipëri.

Dërgimi i kësaj letre shënon kontaktin e parë zyrtar të organizatorëve të protestës me trupin diplomatik, ndërsa lëvizja hyn në javën e katërt dhe paralajmëron vijimin e mobilizimit në ditët në vijim.

Letra e plotë

Shkëlqesive Tuaja,

Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve të vendeve perëndimore të akredituar në Republikën e Shqipërisë

Lënda: Njoftim mbi kërkesat e protestuesve

Shkëlqesi,

Në emër të Grupit Koordinues të Protestës, që përfaqëson një lëvizje të gjerë dhe paqësore qytetare, e cila ka mobilizuar qytetarët shqiptarë për njëzet e shtatë ditë radhazi, kemi nderin t’ju drejtohemi me frymë transparence, përgjegjësie demokratike dhe respekti për vlerat që bashkojnë vendin tonë me komunitetin euroatlantik.

Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues të zhvillimit të saj demokratik. Qytetarët e mbledhur në mënyrë paqësore në sheshet publike në mbarë vendin po ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për shprehje qytetare, të udhëhequr nga një angazhim i thellë për shtetin e së drejtës, qeverisjen demokratike dhe dinjitetin njerëzor.

Në këtë kontekst, Grupi Koordinues i Protestës paraqet me respekt kërkesat e mëposhtme, të cilat pasqyrojnë vullnetin e popullit sovran:

1. Dorëheqjen e Kryeministrit dhe të Qeverisë aktuale, si një hap thelbësor dhe i panegociueshëm drejt ripërtëritjes demokratike.

2. Krijimin e një qeverie kalimtare teknike, jopartiake, me mandat dymbëdhjetëmujor për të mbikëqyrur një proces reformash të besueshëm dhe të paanshëm.

3. Reformë tërësore kushtetuese, të mbështetur në parimin e barazisë së plotë të të gjithë qytetarëve shqiptarë para ligjit dhe që të miratohet përmes referendumit popullor.

Kjo reformë duhet të përfshijë, ndër të tjera:

Reformimin e Kodit Zgjedhor.

Reformimin e legjislacionit që rregullon financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.

Vendosjen e kufizimit të mandateve për postin e Kryeministrit, duke kufizuar çdo individ në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë karrierës së tij politike.

4. Korrigjime të menjëhershme ligjore, duke përfshirë:

Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura (Ligji nr. 21/2024).

Shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.

Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”.

Shfuqizimin e kuadrit ligjor që rregullon Investimet Strategjike.

5. Hartimin e një kontrate të re shoqërore ndërmjet qytetarëve dhe shtetit, që do të zhvillohet përmes konsultimeve të gjera me intelektualë të pavarur, ekspertë teknikë dhe përfaqësues jopartiakë të shoqërisë civile, në përputhje me propozimet e lëvizjes qytetare.

Këto kërkesa përfaqësojnë shprehjen e qartë dhe legjitime të një populli sovran, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës. Me respekt ju bëjmë thirrje që të merrni në konsideratë seriozitetin dhe sinqeritetin e kësaj lëvizjeje qytetare dhe të mbështesni një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të krizës aktuale politike në Shqipëri.

Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm dhe besojmë në angazhimin tuaj të vazhdueshëm për demokracinë dhe dinjitetin njerëzor në Shqipëri, si pjesë e vlerave tona të përbashkëta evropiane.

Ju lutemi pranoni shprehjen e konsideratës sonë më të lartë.

Letra/ Revolta hyn në fazë të re, protestuesit vë në

Letra e protestuesve

Letra/ Revolta hyn në fazë të re, protestuesit vë në

Grupi koordinues
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.