Festivali i Gazetarisë “Pyet”: kur gazetaria bëhet festival dhe festivali… gazetari
Festivali i Gazetarisë “Pyet”: kur gazetaria bëhet festival dhe festivali… gazetari
Në një vend ku realiteti shpesh tejkalon satirën, këtë herë ndodhi e kundërta: u organizua Festivali i Gazetarisë. Po, një festival. Jo investigim, jo denoncim, por festival.
Bashkë me Festivalin e Pranverës, mesa duket, erdhi edhe edicioni i parë i një tjetër “spektakli”, ku sipas ironisë së momentit, skena nuk i përkiste më vetëm këngëtarëve, por edhe ish-gazetarëve, politikanëve dhe analistëve të përhershëm të paneleve.
Thuhet se në këtë atmosferë “reflektimi”, nuk mungoi as performanca imagjinare e ish-gazetarit të “Zërit të Popullit”, Erjon Braçe, i shoqëruar nga një kor simbolik mes Portokallisë dhe Gridës. Një metaforë më e qartë për gjendjen e gazetarisë sot zor se gjendet.
Dhe hajde mos e beso pastaj që gazetaria po ecën me ritmin e duhur.
Në planin zyrtar, Festivali i Gazetarisë “Pyet”, i ideuar nga gazetarja Kristi Gongo, u prezantua si një hapësirë serioze reflektimi mbi profesionin. Në sallë u mblodhën profesionistë të medias, pedagogë dhe figura të njohura, të cilët ndanë eksperienca dhe diskutuan sfidat e gazetarisë në epokën digjitale.
U fol për klikimet, për algoritmin, për presionin e shpejtësisë dhe për nevojën e verifikimit të lajmit. U përmend radio si bastion i besueshmërisë dhe u theksua rëndësia e rikthimit te thelbi: informimi i saktë dhe i përgjegjshëm.
Por ndërsa në sallë flitej për standarde, jashtë saj realiteti i medias shqiptare vijon të funksionojë me një tjetër logjikë: tituj për klikime, lajme pa burim dhe investigime që rrallë arrijnë të shkojnë deri në fund dhe zarfet e qeverisë për shplarje truri.
Festivali “Pyet” synon të rikthejë pyetjen në gazetari. Problemi është se prej kohësh, përgjigjet nuk mungojnë – mungon vullneti për t’i thënë ato deri në fund.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



