Zgjerimi i BE-së është çështje që ngjall debate. Dyshimet mbi këtë proces kanë ndikuar si në referendumin e Brexit, ashtu dhe në zgjedhjet në Francë, Austri e tjetërkund.
BE po shkon drejt njërit prej zgjerimeve më të diskutueshme deri më sot, teksa përcakton plane pranimi për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, një zonë e rrahur nga lufta në vitet 1990 dhe që vazhdon të ketë mosmarrëveshje territoresh.
Strategjia e BE-së, e publikuar në Shkurt, caktonte vitin 2025 si kufi për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, dy vendet që kanë përparuar më shumë me procesin, si dhe për Shqipërinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën.
Ky do të jetë zgjerimi më i madh i BE-së në numër shtetesh, që nga pranimi i madh i vitit 2004, kur u anëtarësuan 10 vende ish komuniste. Por ç’ndryshim do t’i sjellin këto vende BE-së? Çfarë përpjekjesh duhet të bëjnë vendet problematike të rajonit që të arrijnë standardet e pranimit në BE?

Nuk ka popullsi të madhe…
Popullsia e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor është 18 milionë në total. Pra, më pak se 20 milionë banorët e Rumanisë, të cilët iu bashkuan BE-së në vitin 2007, bashkë me Bullgarinë.
Luftërat dhe varfëria kanë shkaktuar valë të mëdha emigrimi në vitet 1990 dhe 2000. Sot, sipas shifrave të Bankës Botërore, një në katër banorë të Ballkanit Perëndimor jeton jashtë vendlindjes.




