Florian Binaj zbardh prapaskenat e kandidimit që befasoi politikën
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, aktori dhe aktivisti Florian Binaj, ka folur për herë të parë për vendimin e tij për të hyrë në garën për kryebashkiak në emisionin Top Story në Top Channel. I njohur për angazhimin e tij qytetar dhe pjesëmarrjen në protesta, Binaj tha se kandidimi ishte një vendim i nxitur nga ndjenja e drejtësisë që e ka shoqëruar që në fëmijëri.
“Kjo është një thirrje e brendshme e imja. Që kur kam qenë fëmijë kam kërkuar drejtësi. Më ka shoqëruar gjithë jetën. Angazhimi im në protesta ka qenë i gjithmonshëm”, – u shpreh Binaj.
Ai shtoi se kandidimi nuk ishte një vendim i lehtë, por se mori mbështetje të menjëhershme nga rrethi i tij familjar dhe shoqëror.
“Në fillim prisja që të më thoshin: ‘Po ç’pate?’, por përkundrazi, më bënë krah menjëherë. Të gjithë më thanë se ishte gjëja e duhur, në momentin e duhur.”
Sipas Binajt, partitë opozitare “e lanë sheshin bosh”, duke krijuar hapësirën për alternativa të reja, që sipas tij duhet të vijnë nga vetë qytetarët.
“Partitë opozitare hapën krahun dhe e lanë sheshin e valles bosh që dikush ta marrë përsipër. Unë dola për të ndezur dhe tek të tjerë dëshirën për përfaqësim. Më mirë një qytetar që përfaqëson qytetarin, sesa një qytetar që paguhet nga qeveria për qytetarin.”
Binaj theksoi se nuk e sheh politikën si një shaka, por si një mjet për të zgjidhur problemet, edhe pse sot shpesh përdoret për t’i shkaktuar ato.
“Politika nuk është shaka. Është mjet për të zgjidhur problemet, por kohët e fundit është bërë edhe burim problemesh.”
Kandidatura e Florian Binajt ka ardhur si një surprizë në skenën politike të Tiranës, dhe është komentuar gjerësisht si një përpjekje për të ofruar një alternativë jashtë politikës tradicionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



